Mungesa e gazit në Itali paraqitet veçanërisht shqetësuese, ndërsa çmimi i tij është rritur në mënyrë drastike në pothuajse të gjitha vendet europiane, si rrjedhojë e kërkesës së shtuar prej dimrit të acartë që ka pushtuar kontinentin prej pothuajse dy javësh.
Në kushtet e kërkesës së lartë, Rusia nuk është në gjendje të plotësojë të gjithë nevojën dhe kjo ka bërë që situata të jetë shumë e vështirë sidomos në Itali, ku autoritetet kanë racionuar shpërndarjen për përdoruesit jofamiliarë.
Burimet zyrtare kanë pranuar se vendi ka gaz deri në ditën e mërkurë dhe se pas kësaj dite do të fillojë të preken rezervat. Me kushtet atmosferike që pritet të mbeten të këqija gjatë të gjithë shkurtit, autoritetet flasin për një gjendje kritike.
Në Britaninë e Madhe, çmimi është rritur me 24% brenda dy ditësh, ndërsa një shtrenjtim të ngjashëm kanë njohur edhe vendet e tjera europiane, si Franca, Gjermania dhe Polonia.
Si pasojë e temperaturave që kanë zbritur deri në -30 gradë, i ftohti ka shkaktuar deri tani mbi 300 të vdekur, 130 prej të cilëve vetëm në Ukrainë.
Top Channel