BSH: Kriza uli pagën reale në Shqipëri

06/02/2012 08:00

Rënia e shitjeve gjatë tremujorit të dytë të vitit 2011 solli rënien e produktivitetit të punës dhe në fund, rënien e vetë pagave reale në ekonominë shqiptare, një fenomen që ka ndodhur jashtëzakonisht shumë rrallë gjatë dy dekadave të fundit, bëhet e ditur nga një analizë e Bankës së Shqipërisë.

“Përballja e kërkesës dhe ofertës në tregun e punës rezultoi në një rritje më të ngadaltë të pagave në tremujorin e dytë. Bazuar në të dhënat sasiore të statistikave afatshkurtra, paga mesatare në sektorët prodhues dhe në atë të shërbimeve u rrit me 2.2% në terma vjetorë nominalë, gjatë këtij tremujori. Ky tregues u rrit me një normë vjetore më të ulët se inflacioni vjetor i tremujorit të dytë, gjë që përkthehet në një pagë mesatare reale në rënie (-1.8%)”, – thuhet në raportin e Politikës Monetare për Tremujorin e Katërt të vitit 2011, që u publikua disa ditë më parë nga Banka e Shqipërisë.

Gazeta ‘Shqip’ bën të ditur se të 258 mijë shqiptarët që zyrtarisht rezultojnë të punësuar me pagë në sektorin privat pësuan rënie më të lartë të pagave, ndërkohë që 160 mijë të punësuarit në sektorin publik shijuan rritjen.

“Në sektorin shtetëror, paga mesatare regjistroi ritme rritjeje më të larta krahasuar me treguesin e pagës mesatare për ekonominë. Më konkretisht, paga mesatare shtetërore u rrit me 6.3% në terma nominalë dhe me 2.1% në terma realë, gjatë tremujorit të dytë”, – thuhet në raport. Qeveria i rriti pagat me sektorin publik me 2-4 për qind gjatë dy viteve të fundit si pasojë e krizës, por gjatë kësaj periudhe, të punësuarit në sektorin shtetëror u shkurtuan. Ato që u hoqën nga puna kishin paga të ulëta dhe për rrjedhojë, paga mesatare rezultoi më e lartë se sa rritja e përcaktuar nga qeveria.

Eficenca dhe kostoja

Eficenca e punës së shqiptarëve në sektorin privat njohu një rritje shumë të ngadaltë, ndërsa kostoja e punës për njësi prodhimi shënoi rënie, sipas analizës së BSH-së. Produktiviteti i punës mat rritjen e prodhimit për punëtor pa marrë parasysh rritjen e kapitalit dhe ky konsiderohet si një nga treguesit më të rëndësishëm të shëndetit ekonomik, pasi tregon cilësinë e forcës punëtore dhe rrjedhimisht, aftësinë e popullsisë për të prodhuar më shumë e për t’u pasuruar.

“Në tremujorin e dytë të vitit 2011, dinamika pozitive e treguesit të produktivitetit të punës (PP) në aktivitetin ekonomik jobujqësor u ngadalësua, duke shënuar një rritje të ulët vjetore (1.5%)”, – thuhet në raport.

“Ky zhvillim reflektoi më së shumti frenimin e dukshëm të aktivitetit ekonomik në vend në këtë tremujor, i shprehur në një realizim të ulët historik të vlerës së shtuar për aktivitetin e biznesit. Ecuria e këtij treguesi sugjeron se bizneset e aktiviteteve jobujqësore nuk kanë mundur të ruajnë prirjen në rritje të treguesit të eficiencës së përdorimit të forcës së punës, me gjithë përpjekjet e tyre për t’iu përshtatur situatës ekonomike të dy viteve të fundit”, – thotë më tej BSH.

Ndërkohë, mbajtja në nivele të ulëta të prodhimit si pasojë e krizës dhe rënia e pagave, bëri që edhe kostoja e punës të ulet. Një lajm relativisht i mirë ky për sipërmarrësit.

“Treguesi i kostos së punës për njësi të prodhuar (KPNj) vijoi të shënojë një normë vjetore negative (-3.4%) si edhe në tremujorin e parë të vitit. Kjo ecuri është ndikuar nga ritmet modeste të rritjes së produktivitetit të punës, ndërkohë që paga mesatare në terma realë ka ardhur në rënie”, – thotë BSH.

Të dhënat mbi produktivitetin dhe mbi koston e punës në Shqipëri janë vetëm vlerësime të përafërta, për shkak se sistemi statistikor nuk ofron informacion më të hollësishëm. BSH vlerëson se situata është përkeqësuar gjatë gjysmës së dytë të vitit 2011, ku rënia e prodhimit ka shkaktuar rënie të mëtejshme të pagave, dhe kjo e fundit ka sjellë rënie të konsumit e rënie të çmimeve. Kjo spirale negative përbën makthin e të gjithë ekonomistëve të botës, pasi mund të rrëzojë shëndetin ekonomik të vendit hallkë pas hallke. Për t’i shpëtuar këtij kurthi, politika monetare lehtësohet dhe kostoja e kredimarrjes ulet. Problemi në rastin e Shqipërisë është që përfituesi më i madh nga politika e zbutur monetare është qeveria, e cila i përdor paratë për të financuar ndërtim rrugësh. Kjo përqasje nuk e ndal spiralen rënëse paga-çmime-paga, pasi investimet në rrugë përfundojnë pothuajse tërësisht jashtë vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA