Konferenca e Mynihut, forumi më i rëndësishëm ndërkombëtar për aspektet e sigurisë globale, nuk bëri parashikime optimiste për daljen e Eurozonës nga kriza në një kohë të shpejtë.
Kryeministri Sali berisha, i cili ishte i ftuar mes personaliteteve të rëndësishëm botërorë të kësaj konference, përkrah vlerësimin e presidentit të Bankës Botërore, Robert Zoellick, se masat e deritanishme të ashtuquajtura masat e ashpërsisë fiskale, të shoqëruara me rritje taksash, kanë rezultuar të paefektshme për të dalë nga kriza.
“Robert Zoellick, Mario Monti, George Soros, së bashku me Presidentin e Deutsche Bank, zotin Ackermann, konsideruan si rrugë të re domosdoshmërinë e përqendrimit, para së gjithash dhe mbi të gjitha, te rritja ekonomike, e cila përbën shtyllën kryesore të shanseve të qytetarëve të këtyre vendeve. Besohet se kjo do të jetë një krizë nga e cila do të duhen jo pak vite për të dalë, por e rëndësishme është se për herë të parë në këtë konferencë ndërkombëtare që u diskutua për krizën, u kërkua që të ndryshohen qëndrimet e deritanishme për daljen e saj. Masat e ashpërsisë dhe paketa e tyre duhet detyrimisht të mos cënojnë rritjen ekonomike”, theksoi kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha është partizan i modelit ekonomik që bazohet në nxitjen e rritjes ekonomike, sepse tek ky model, që, sipas tij, i qëndroi krizës dhe nuk njohu recesionin, është e bazuar ekonomia shqiptare. Ndërsa modeli tjetër, që siç shpjegon ai, po përjeton vështirësi serioze, është modeli i bazuar në një faturë të madhe sociale dhe te taksat e larta.
“Ajo që spikat në këtë sfond, sërish dua të theksoj, modeli i ekonomisë në Shqipëri, model i cili është bazuar para së gjithash në nxitjen e rritjes ekonomike, për rrjedhojë nxitjen e punësimit, nxitjen e të ardhurave. Faktikisht, Shqipëria në katër vitet e fundit të marra së bashku ka pasur një rritje ekonomike prej 18 përqind, rritjen më të lartë në Evropë. Ky model ka nevojë të përsoset më tej. Natyrisht, jo me masa që godasin në palcë rritjen dhe biznesin, jo me masa të cilat nëpërmjet rritjes së taksave shkatërrojnë qindra dhe mijëra vende pune, por me standarde të tjera liberale që zgjerojnë hapësirën e iniciativës së lirë dhe nxisin bizneset”, u shpreh Berisha.
Rama: Berisha po na turpëron nëpër botë
Për deklaratat e kryeministrit Berisha reagoi menjëherë Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Në rrjetin social “Tuiter”, z. Rama shkruan se “kryeministri flet në mes të Gjermanisë për 18% rritje ekonomike e për një model suksesi imagjinar që e bën Shqipërine të duket si s’ka më keq nëpër botë!”.
Kryetari i opozitës, shkruan se “kryeministri vijon ta bëjë qesharak vendin tonë duke eksportuar jashtë fjalimet e tij groteske për ekonominë. Turp i pamerituar për Shqipërinë”, thekson në rrjetin “Tuiter”, Edi Rama.
Top Channel