Irani lëshon një tjetër kërcënim në mesin e një situate të tensionuar me Perendimin për programin bërthamor.
Gjenerali Hosein Salami, zv/komandanti i Gardës Relovucionare, forca më e fuqishme ushtarake në vend tha se “Irani do të vërë në shënjestër cdo vend nga i cili do të kryhet sulmi kundër tij”.
Mesazhi i tij më shumë u drejtohet vendeve fqinje, për të mos lënë hapësirën tokësore apo ajrore, në dispozicion të ndonjë sulmi kundër tij.
“Cdo vend, nga ku nis ofensiva ushtarake kundër Republikës Islamike të Iranit do të vihet në shënjestrën e një sulmi reciprok nga njësitë luftarake të Gardës”.
Irani nisi të shtunën një stërvitje të gjerë ushtarake, në përgjigje të sanksioneve të perëndimit. Media shtetërore raportoi se manovrat tokësore të Gardës Revolucionare kundër një armiku hipotetik nisën të shtunën në afërsi të Xhiroftit, 1200 në jug të Teheranit.
Kjo është stërvitja e dytë e madhe në pak javë, pas manovrave detare në ngushticën e Hormuzit, që zgjatën 10 ditë, në fillim të janarit. Pikërisht në këtë periudhë, Teherani lëshoi kërcënimin e tij për mbylljen e këtij shtegu, nga ku kalon një e pesta e naftës së botës.
Republika islamike ka shtuar retorikën pas akuzave të Perëndimit se qellimi i saj është të sigurojë bombën atomike, gjë që Teherani e kundërshton me forcë.
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë lënë të hapura të gjithë mundësitë, përfshirë edhe një ofensivë ushtarake, nëse Irani vazhdon me programin e pasurimit të uraniumit.
Zyrtaret amerikanë janë shprehur të shqetësuar, se në pranverë Izraeli mund të godasë Iranin. Në fakt, Izraeli e konsideron Iranin si një kërcënim për ekzistencën e tij, duke kujtuar retorikën e udhëheqësve iraniane për shkatërrimin e këtij vendi.
Të premten, udhëheqësi shpirtëror i Iranit, Ajatollah Ali Kamenei e cilësoi Izraelin si një tumor malinj që duhet të eleminohet.
Top Channel