“Talebani” Conte dhe Juventusi favorit

04/02/2012 15:35

Juventusi ndodhet në krye të tabelës, 1 pikë më shumë se vendi i dytë që mbahet nga Milani dhe me një ndeshje më pak, atë ndaj Parmës e vendosur për t’u luajtur më 15 shkurt. Vendi i parë i mbajtur deri më tani, dhe humbja e Milanit ndaj Lacios në mesjavë ka bërë që mediat italiane të rendisin Juventusin si favoritin kryesor për të fituar kampionatin italian.

Por tekniku bardhezi, Antonio Conte këmbëngul se favorit kryesor për të fituar skudeton mbetet Milani dhe ironizoi mediat, të cilat në nisje të sezonit, në muajin gusht e renditën Juventusin si pretendentin e shtatë dhe kritikuan Conte-n duke e quajtur “taleban taktik”.

“Falenderoj mediat që më në fund kanë nisur të flasin për një Juventus favorit duke rikthyer vlerësimet e duhura për këtë skuadër. Por unë kam një arkiv timin personal me artikuj dhe intervista. Shpesh shoh artikullin në fillim të sezonit ku thuhej se Juventusi ishte një katastrofë, pa lojtarë cilësorë, pa emra dhe me një trajner i konsideruar taleban taktik. Por pas 6 muajsh jemi favoritët kryesorë: kjo është një mrekulli!!! Është frut i një pune të jashtëzakonshme”, tha Conte.

Më tej trajneri juventin foli për kalendarin e ngjeshur të Juventusit me 5 takime në 13 ditë, duke nisur që nga dita e dielë me takimin me Sienën. Ai tha se do të përdorë rotacionin në skuadër duke u dhënë më shumë hapësirë lojtarëve që kanë luajtur shumë pak minuta në këtë sezon, ku përfshihet edhe Del Piero.

Top Channel