Bllokohen faqet pirate

04/02/2012 20:20

Pak kohë përpara ndeshjes finale të kampionatit të futbollit amerikan, që njihet ndryshe si “Super bowl”, prokurorët në Shtetet e Bashkuara bllokuan 16 faqe interneti që transmetonin eventet sportive live dhe ato “pay per view” të televizioneve apo platformave televizive të të gjithë botës.

Të paktën një person nga Michigani u padit për menaxhimin e 9 prej faqeve abuzive të internetit. Sipas qeverisë, faqet ofronin lidhje të cilat u krijonin shikuesve mundësine për të parë programe  nga liga kombëtare e futbollit, shoqata kombëtare e basketbollit, liga kombëtare e hokejt e kampionati botëror i mundjes, kampionatet e futbollit të shumë vendeve të Europës etj.

Një pirateri e tillë sipas prokurorëve u ka kushtuar ligave dhe transmetuesve të këtyre eventeve miliona dollarë në vit, e një pjesë e kësaj kostoje rëndon mbi blerësit e biletave apo të abonuarit në rrjetet sportive.

Faqe të tilla dhe operatorët e tyre i privojnë ligat sportive dhe mediat televizive nga të ardhurat e tyre të ligjshme. Kjo praktikisht është vjedhje, tha në Manhatan prokurori Preet Bharara, i cili bëri publik lajmin e bllokimit të tyre.

Puna për këtë bllokim nisi të enjten. 28-vjecari nga Michigani, Yonjo Quiroa do të përballet me akuzën e shkeljes së të drejtës së autorit. Quiroa i cili njihet edhe si Ronaldo Solano, e menaxhonte faqen nga shtëpia dhe kishte përfituar të paktën 13.000 dollarë nga persona të interesuar për të reklamuar online.

Padia ndaj 28-vjecarit i referohet përpjekjeve të tij për pirateri nga shkurti 2010 deri në janar të ketij viti. Aksioni jo pa qëllim u realizua në prag të finales së kampionatit dhe synonte pikërisht të dërgonte një mesazh simbolik në vazhdën e luftës ndaj piraterisë televizive.

Super bowl konsiderohet ngjarja më e madhe sportive e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe biletat për ndeshjen finale janë jo vetëm të shtrenjta, por edhe vështirë për t`u gjetur. Cmimi varion nga 800 deri në 1.200 dollarë copa, ndërsa ato që rishiten momentet e fundit mund të mbërrijnë deri në 16.000 dollarë.  

Fenomeni i piraterisë prek në mënyrë të vazhdueshme të gjitha sportet që transmetohen në televizionet e mbarë botës duke u shkaktuar dëme të mëdha rrjeteve televizive dhe platformave të ndryshme që kanë paguar për të patur të drejtat e transmetimit të tyre.

Top Channel