Elisi, Fabjola, Alisiana dhe Klodiani janë katër konkurrentët të cilët u eliminuan në gjysmëfinalen e kaluar të “The Voice of Albania” dhe ata e shohin këtë spektakël si një pikënisje për karrierën e tyre në muzikë.
Elisi, i cili ishte pjesë e skuadrës së Miriamit, mendon se kjo eksperiencë e ka pjekur dhe i ka bërë të kalojë momente të mrekullueshme.
“The Voice më ka pjekur si njeri dhe si këngëtar. Kam kaluar momente të paharrueshme. Tani kam disa plane në mendje dhe Miriami na ka thënë të gjithëve që do na përkrahë shumë në të ardhmen. Kam dëshirë dhe shpresoj të marr pjesë tek Top Fest”, shprehet Elisi në studion e emisionit ‘Pasdite në Top Channel’.
Alisiana është një nga të eliminuarat që e ka përjetuar më keq momentin e përjashtimit nga ‘The Voice of Albania’: “E kisha të vështirë ditët e para pas eliminimit. Kam qarë, por falenderoj trajneren time Almën, por edhe trajnerët e tjerë sepse kritikat na bëjnë mirë. Jam shumë mirënjohëse ndaj stafit të The Voice.”
Me shumë sportivitet e ka përjetuar përfundimin e aventurës Fabjola, e skuadrës së Elton Dedës: “Nuk u ndjeva shumë e mërzitur sepse kishim arritur në një pikë ku kishte shumë konkurrencë. Më shumë u mërzitën ata të shtëpisë se sa unë. Eltoni ka qenë i rreptë kur duhej dhe i mirë kur duhej.
Nuk e di çfarë do bëja ndryshe po të kthehesha pas sepse skena të jep emocione dhe nuk mund të japësh 100% gjithmonë.”
Kur u pyet nëse mendonte se tashmë mund të quhej këngëtare, ajo deklaroi: “Mendoj se të gjithë ne jemi këngëtarë dhe këtë e kemi vërtetuar duke kënduar live dhe kemi marrë përsipër materiale shumë të vështira.”
Ndërsa Klodiani theksoi: “Ditët kanë qenë shumë të zëna për ne. Duhet të zgjidhje këngën që të përshtatej, të filloje provat me orkestrën që zgjasnin shumë dhe vetëm kur vinte ora për të rënë për të fjetur.”
“Vendosa të marr pjesë në The Voice sepse doja të provoja veten në muzikën e lehtë”, shton Klodiani, i cili ka studiuar për kanto.
Top Channel