Vendimet për 21 janarit vazhdojnë të trazojnë politikën shqiptare, duke bërë që të dy rivalët e mëdhenj politikë të rrisin presionin e tyre mbi institucionin e Prokurorisë dhe Gjykatat.
Ndërsa Partia Demokratike në pushtet ka akuzuar kryeprokuroren Ina Rama për tendencë të qartë politike, lideri i opozitës, Edi Rama, e ka cilësuar vendimin për 21 janarin si shansin e fundit për t’I treguar shqiptarëve që drejtësia në vend ende nuk ka vdekur.
Por, a është ky moment konfliktual duke prodhuar një vorbull të re në politikën shqiptare? Për këtë temë, politikanë si Blendi Klosi (sekretari organizativ PS), Edi Paloka (nënkryetar i PD-së) dhe analistët Artur Zheji e Mustafa Nano, debatuan në studion e Sokol Ballës, në “Top Story”.
Duke u ndalur tek tema e ditës, heqja e imunitetit të tre deputetëve socialistë, por jo me vota unanime, Paloka komentoi: “Shpresoj që qëndrimi i deputetëve socialistë të ketë qenë individual dhe jo pjesë e një plani më të gjërë”.
Sipas deputetit të Partisë Demokratike, “votimi jounanim ishte i pritshëm”, ndërsa aludoi se emrat e tre personave që do të përballen me drejtësinë për organizimin e protestës së dhunshme nuk janë zgjedhur vetëm nga Prokuroria, por “në radhë të parë prej Edi Ramës”.
Përballë një deklarate të tillë, kundërpërgjigja e Klosit ishte e vendosur. “Sulmet e qeverisë ndaj Prokurorisë janë të vazhdueshme dhe të turpshme. Hetimi politik për Berishën dhe Bashën është i domosdoshëm”.
Sipas Klosit, “vrasjet e 21 janarit janë publike dhe procesi i vënies së drejtësisë në vend duhet të jetë publik dhe të nisë nga koka dhe jo nga bishti i atyre që ishin përgjegjës. Përzgjedhjen nuk e bëmë ne, por plumbat, që përzgjodhën të merrnin ata katër protestues, por mund të kishin marrë me vete cilindo prej nesh. Dhe në të gjithë këtë histori, kryeministri Berisha vazhdon ta konsiderojë personin që drejton gardën si një hero. Dhe ndryshimi i tyrës së armës dhe fshirja e serverit të Kryeministrisë, pa dyshim që nuk tregojnë një ndërgjegje të pastër”.
Sipas Artur Zhejit, është e domosdoshme një qasje më realiste përballë gjithçka asaj që ndodhi në 21 janar. “Nuk ka dyshim që katër persona të pafajshëm u vranë, por shpresoj që kërkesa e Klosit për një hetim politik të jetë lapsus, edhe pse druaj se nuk është kështu. Drejtësia nuk duhet të jetë politike, por e paaanshme dhe të zbulojë përgjegjësit e vërtetë të asaj ngjarje. Prokuroria ka një mbrojtës të madh, që janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po e citoj në mënyrë të zhdrejtë dhe jo fjalë për fjalë, por ambasadori Arvizu ka bërë të qartë se kush do të sulmojë Prokurorinë do të futet në telashe. Prandaj, sa më shumë politika të shtojë karikatorët dhe retorikën e fyerjes ndaj Prokurorisë, aq më dëm do t’i bëjë vetes dhe asaj që na intereson të gjithëve, vënies së drejtësisë në vend në mënyrë të shpejtë dhe të qartë”.
Në një panoramë të situatës politike në vend, Nano përsëriti këndvështrimin e tij mbi 21 janarin dhe ngjarjet që kanë pasuar. “Që tani 21 janari është do të mbetet në histori si një ngjarje historike. Është një ngjarje që u programua nga opozita për të qënë e dhunshme, por kurrsesi që dhuna të degradonte deri në atë pikë, pasi kurrsesi nuk pati njerëz të armatosur dhe kurrsesi nuk pati arsye për të qëlluar mbi turmë. Unë gjykoj që është moment për të lënë në qetësi Prokurorinë të punojë. Me sa duket, hetimi është vendosur në binarë të mirë, palët janë dorëzuar përpara ekspertizës së FBI-së, ndonëse presioni vazhdon”.
Qëndrimi i Arvizus ndaj çështjes dhe vendimi i Prokurorisë, që kërkoi arrestimin e tre gardistëve dhe heqjen e imunitetit të tre deputetëve, u vendos në vazhdim në qendër të vëmendjes së “Top Story”-t. “Arvizu ka qenë gjithmonë i qartë në të gjitha deklaratat e tij dhe nuk ka lënë asnjëherë vend për komente. Qëndrimi i tij ka qenë i tillë që në fillim. A jemi të kënaqur me Prokurorinë? Asnjëherë nuk kemi thënë të kundërtën”, theksoi Paloka, duke ndarë rëndësinë e personave që janë duke u ndjekur në hetime.
Në replikë, socialisti Klosi kujtoi ato që ai i konsideron si fakte të pandryshueshme. “Është fakt që komandanti i gardës ka manipuluar armën, sepse e dinte që kishte qëlluar mbi turmë dhe kishte vrarë njerëz. Është fakt, që te nesërmen e 21 janarit, paturpësisht, kryeministri Berisha dha urdhër që vendimet e Prokurorisë për arrestimin të mos respektoheshin, në mënyrë që të jepej kohë të manipuloheshin provat. Është përsëri fakt, që serveri i Kryeministrisë është fshirë. Këto janë të gjitha fakte”.
Në vijim të fjalës së tij, deputeti PS-së, Blendi Klosi tha se hetimet janë bërë dhe do të bëhen, por dy prej tyre janë përfunduar: “Hetimet do të vazhdojnë, por dy gjëra janë hetuar tashmë, është hetuar intensivisht nga policia e cila arrestoi 135 vetë atë ditë. Të gjithë këta kanë marrë dënimet e tyre, për veprat e tyre, gjithsecili ka marrë denimet individuale. Por dhe FBI ka hetuar dhe po të mos ishte për FBI-në, ata persona sot do t’i kishte vrarë Edi Rama. U vërtetua se armët e Gardës së Republikës kanë vrarë atë ditë. Ky hetim është bërë dhe dihet se kush ka vrarë dihet, por ne akuzojmë Sali Berishën dhe Lulzim Bashën autorë pasi ata dhanë urdhërin”.
Deklarata e Bashës për VoA dhe zgjedhja e Presidentit
Lidhur me deklaratën e kreut të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, dhënë për Zërin e Amerikës ku tha se 4 të vrarët e 21 janarit ishin të pafajshëm. “Ne e kemi deklaruar edhe më parë që të vrarët e 21 janarit janë viktima të pafajshme, janë edhe viktima të Ramës që i mblodhi e i nxiti kur e dinte se ca i priste. Sa për presidentin, ka një Kushtetutë që është me një konsensus të gjërë, sidomos kjo pika për zgjedhjen e presidentit. Presidenti do të zgjidhet sipas Kushtetutës dhe ky është konsensusi ynë”.
Ndërsa deputeti Blendi Klosi e cilësoi deklaratën e Bashës si një përpjekje e tij për t’i shpëtuar, sipas tij, fundosjes së Sali Berishës. “Basha është një njeri që ka pak ose aspak lidhje me PD. E kupton më mirë nga të gjithë të tjerët se Sali Berisha ka rënë, Sali Berisha erdhi në 2005 se e majta u përca, në 2009 vodhi votat, por nuk ka shans të fitojë sot, kur ekonomia është në krizë, kur është jashtë pëlqimit të realitetit shqiptar. Lul Basha, nga Bashkia e Tiranës pret në mënyrë të qetë largimin e Sali Berishës nga kryeministria. Por Basha ka qenë atë ditë Ministër i Brendshëm dhe e ka të pamundur të largohet, ashtu sic bëri me korrupsionin Durrës-Kukës, thjesht për procedurë. Prokuroria nuk mund të mbyllë sytë. Kjo deklaratë për t’u ndarë nga Berisha tregon dobësinë e tij”.
Sa i përket zgjedhjes së Presidentit të Republikës, deputeti Klosi tha se PS do të kërkojë gjetjen e një emri konsensual. “Presidenti do kërkojmë të jetë konsensual dhe të bisedojmë me palët. Berisha dhe PD nuk ka të drejtë të zgjedhe presidentin. Ai mund ta bëjë atë, sin ë 1997, por ky emër nuk do të përfaqësonte unitet”.
Top Channel