Ozil: Dua të përfundoj karrierën tek Real

02/02/2012 15:20

Mesut Ozil është shprehur se dëshiron që të përfundojë karrierën me fanellën e Real Madrid. Mesfushori gjerman i spanjollëve gjithashtu shtoi në një intervistë për revistën ‘Kicker’ se kritikat që ka marrë muajt e kaluar për formën e tij të dobët e kanë bërë më të fortë.

“Dua ta mbyll karrierën tek Real. E di që duhen edhe shumë vite deri sa të var këpucët në gozhdë dhe do të jetë shumë e vështirë. Klubi do të blejë shumë lojtarë në vitet e ardhshme dhe do të ketë në qarkullim futbollistë të rinj me talent, por unë dua të jem pjesë e të ardhmes së Real Madrid. E di çfarë jam në gjendje të bëj dhe do të qëndroj në Madrid për shumë vite”, ka theksuar Ozil.

23-vjeçari shpjegoi edhe se si është të jesh një futbollist i madrilenëve: “Të kritikojnë shumë shpejt edhe nëse po luan mbi mesataren. Kam mësuar nga kjo gjë dhe jam bërë më i fortë.”

Në lidhje me rivalët historikë të Barcelonës, Ozil u shpreh i bindur se nëse Real vazhdon të luajë në këtë nivel do të fitojë kampionatin spanjoll.

“Shtatë pikë diferencë nuk janë aq shumë, por nëse ruajmë përqendrimin dhe nivelin e lojës atëherë Barcelona nuk do të na kalojë në renditje”, deklaroi mesfushori gjerman me origjinë turke.

Top Channel