Al Ahly pezullon të gjitha aktivitetet sportive

02/02/2012 21:35

Klubi egjiptian i Al Ahly, ekipi i futbollit të të cilit u përfshi në tragjedinë më të madhe sportive të Egjiptit, ka vendosur të pezullojë aktivitetet sportive të të gjitha seksioneve të tij për një kohë të papërcaktuar.

Presidenti i Al Ahly, një nga klubet sportive më të famshëm në kontinentin afrikan, Hasan Hamdi, lajmëroi gjithashtu që ekipet e tij nuk do të luajnë në 5 vitet e ardhshme në rajonin e Port Saidit, kur mbrëmjen e së mërkurës ndodhën përleshjet që shkaktuan më shumë se 70 persona të vdekur.

Pezullimi i aktiviteteve sportive do të jetë në fuqi edhe për aktivitetet ndërkombëtare, në 19 sportet ku është prezent Al Ahly. Shumë ekipe kombëtare egjiptiane “ushqehen” me pjesëtarë të klubit Al Ahly dhe pritet që kjo t’i japë një goditje të fortë sportit egjiptian.

Presidenti Hamdi shtoi gjithashtu se do të hapet një llogari bankare për donacione që do i shkojnë familjeve të viktimave.

Tifozët e Al Masry u futën në fushën e lojës pas fundit të ndeshjes për të sulmuar lojtarët dhe tifozët e Al Ahly gjë që shkaktoi përleshje të dhunshme.

Top Channel