“Spahiu, politikë me KLD-në”

01/02/2012 00:00

Komisioni Parlamentar vendosi të bëjë një hetim të hollësishëm të
veprimtarisë 3-vjeçare të nënkryetarit të Këshillit të Lartë të
Drejtësisë, Kreshnik Spahiu për të vërtetuar pretendimin, se ai ka kryer
veprimtari ekstrafunksionale dhe të kundraligjshme.

Për më shumë se 40 minuta, deputeti Enkelejd Alibeaj ka shpjeguar mënyrën e mbledhjes së fakteve, rrethanave dhe ngjarjeve që kanë të bëjnë me Kreshnik Spahiun. Alibeaj ka treguar disa të dhëna të mbledhura paraprakisht nga burime mediatike, ato në web dhe institucionet shtetërore. 

“Informacioni i mbledhur paraprak është përpunuar në dy drejtime kryesore. Në drejtimin e veprimtarisë ekstra funksionale të anëtarit, njëkohësisht zëvendëskryetar të KLD-së dhe në drejtimin e veprimtarisë funksionale të tij, pra në ushtrim të detyrës si anëtar dhe zëvendëskryetar i KLD-së. Ka rezultuar nga një analizë sistematike e tyre se së pari: në aspektin statistikor rezulton, se duke filluar së paku nga muaji mars 2011 e deri në 17 janar 2012, dita e fundit për të cilën ne kemi mbledhur të dhëna, funksionari i mësipërm ka realizuar mbi 43 veprimtari të tipit, organizim apo tubim, me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të tij, madje i pozicionuar në rolin e drejtuesit dhe projektuesit të tyre. Së paku 5 veprimtari të tilla në çdo muaj. U ka dërguar letra të karakterit diplomatik përfaqësuesve të lartë shtetëror të shtetit të Kosovës, ministrit të Brendshëm të Kosovës, madje edhe gjithë popullit kosovar, të shtetit të Serbisë, presidentit dhe zëvendëskryeministrit të Serbisë dhe shtetit të Greqisë. Në përmbajtjen e këtyre letrave të trajtuara prej tij si veprime shtetërore të karakterit diplomatik ndërshtetëror, nuk trajtohej asnjë çështje e sistemit gjyqësor”, tha Alibeaj.

Enkelejd Alibeaj ka parashtruar gjithashtu edhe se ku do të fokusohet gjatë hetimit ky komision parlamentar, ku edhe në mbledhjen e së mërkurës nuk morën pjesë anëtarët e opozitës.

“Verifikimi i veprimtarisë me natyre politike, të anëtarit-zëvendëskryetar të KLD-së, kohëzgjatjen, intensitetin, përmbajtjen dhe raportin e saj me sistemin gjyqësor; verifikimi i mënyrës së menaxhimit të burimeve njerëzore të KLD-së nga ana e anëtarit- zëvendëskryetar; verifikimi i mënyrës së menaxhimit të mjeteve financiare dhënë nga buxheti i shtetit për KLD-në prej anëtarit-zëvendëskryetar; analiza e shpenzimeve të veprimtarisë ekstrafunksionale të veprimtarisë së tij; verifikimi i mënyrës dhe masës së përdorimit të trupës gjyqësore, për qëllime të organizimit dhe mbështetjes së veprimtarisë së Aleancës Kuq e Zi; verifikimi i mënyrës dhe masës të përdorimit të trupës gjyqësore dhe funksioneve gjyqësore për qëllime politike; verifikimi i përmbushjes së detyrave funksionale të zëvendëskryetarit në kuadër të KLD-së, në lidhje me rritjen e performancës së administratës gjyqësore”, tha Alibeaj.

Anëtari këtij komisioni deputeti Gert Bogdani ka propozuar edhe mbledhjen e të dhënave nga sistemi TIMS të hyrje-daljeve të Kreshnik Spahiut në pikat aeroportuale. Pritet për t’u parë nëse nënkryetari KLD-së do t’i përgjigjet pozitivisht fletës për t’u dëgjuar nga ky komision hetimor, i cili do ta përmbyllë misionin e tij me dorëzimin e raportit më 15 shkurt.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta