Kryetari i PS, Edi Rama ka mbledhur tryezën e grupit të punës për programin e opozitës, mbledhje ku kryefjala ka qenë sistemi i drejtësisë.

Duke e lidhur këtë sistem me ngjarjen e 21 janarit të vitit të kaluar, Rama ka dënuar sulmet “barbare” që sipas tij po bëhen në adresë të Prokurorisë së Përgjithshme nga ekzekutivi, me qëllim shmangien e zbardhjes së të vërtetës.

“Ekzekutivi sulmon në mënyrë barbare prokurorinë dhe prokurorja e përgjithshme bëhet objekt i një sulmi, për mos nxjerrjen e së vërtetës për një ngjarje tragjike. Si mund të pranojë BE në gjirin e tij një vend me një qeveri që fshin provat për të penguar zbardhjen e së vërtetës?”, ka deklaruar Rama.

“Është e pamundur që ne të pretendojmë se BE mund ta pranojë Shqipërinë, kur barazia para ligjit dhe funksionimi i drejtësisë përbëjnë një nga problemet më të rënda të shoqërisë”, ka vijuar ai.

Sipas Ramës, jo vetëm që BE nuk mund të pranojë në gjirin e vet një vend që nuk zgjidh dot problemin me të vërtetën, por edhe qytetarët shqiptarë nuk mund të kenë një të ardhme kur janë të kërcënuar cdo ditë nga padrejtësia, e varur nga një sistem abuzimesh që lidhet me interesat e pushtetit.

Rama ka nënvizuar se, është e një rëndësie të jashtëzakonshme që në procesin e hartimit të programit, PS t’u japë një përgjigje të gjitha pyetjeve të shqiptarëve që kanë të bëjnë me drejtësinë.

“T’u japim përgjigje edhe pyetjeve të gjata që lidhen me mënyrën se si duhet të funksionojë drejtësia shqiptare. Kjo është sfida, të cilën ne duhet ta përballojmë me të gjitha kapacitetet profesionale, që duhet t’i vëmë në dispozicion të programit tonë”, është shprehur Rama.

“21 janari është një përballje që nuk lidhet me një proces hetimor e më pas gjyqësor, por lidhet me funksionimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Nëse kjo sfidë nuk do të fitohet nga drejtësia, me të vërtetën e zbardhur në fakte dhe prova, 21 janari do të shërbejë si një gur i rëndë në vendosjen e një sistemi padrejtësie”, ka shtuar lideri i opozitës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA