Pas një samiti që u zhvillua në një klimë të rëndë për Greqinë kryeministri Lukas Papadhimos ka parë se askush nuk e ka dëgjuar dhe besuar raportin e tij, se vendi ka kryer në 2011 gati 80% të reformave që për më se një dekadë Greqia nuk kishte mundur t’i zbatonte.

Athinës i është dhënë një afat prej vetëm 7 ditësh për marrjen e masave të reja shtrënguese në mënyrë që të përfundojë marrëveshja me ekspertët e troikës dhe më pas të procedohet për lëvrimin e ndihmës prej 130 miliard eurosh.

“Bëni mirë punën tuaj dhe deri në fund të javës të keni rezultate”, ka deklaruar kreu i Eurogrupit, Jean Clode Junker.

Papadhimos që konsideron të mbaruar marrëveshjen për shkëmbimin e bonove dhe reduktimin e borxhit grek, do të negociojë vetë me specialistët eBE, FMN dhe BQE, që kërkojnë pushimin e 150 000 nënpunësve shtetërorë deri në 2015, shitjen e shumë pasurive shtetërore me një vlerë prej 35 miliard euro, një sistem modern taksash dhe sigurimesh shoqërore, modifikimin e marrëdhënieve të punësimit dhe liberalizimin e profesioneve.

“Kjo përpjekje nënkupton sakrifica të rëndësishme për popullin grek, të cilat shprehen në tregues të ndryshëm sic janë papunësia e madhe dhe reduktimi i të ardhurave reale”, tha Lukas Papadhimos, Kryeministër i Greqisë.

Kreu i qeverisë greke beson se paketa e masave të reja do të votohet nga parlamenti, sepse ky veprim do të shpëtojë vendin.

Duke parë presionin mbi Athinën dhe pamundësinë e saj për zbatimin e reformave, britanikët këmbëngulin për daljen e “butë” të Greqisë nga zona e euros.

Ashtu sic shkruan sot “The Times” e Londrës, Greqia duhet të përvetësojë monedhën e saj, dhrahminë e re, që do të jetë ekuivalente si me dollarin ashtu edhe me euron. Në këtë mënyrë do të ketë vlerësim pozitiv nga tregjet dhe do t’i mbijetojë krizës, duke ndihmuar edhe vetë vendet e euros.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA