Jo vetëm Jude Law, Channing Tatum dhe Catherine Zeta-Jones, në kastin e
filmit “The Side Effect” të regjisorit Steven Soderbergh do të jetë edhe
Rooney Mara.
Bëhet fjalë për aktoren e re, që sapo është emëruar për cmimin Oscar për interpretimin e saj në filmin “The Girl With The Dragon Tatoo”, të trilogjisë “Millenium”.
Sipas faqes së internetit Deadline, Mara ka zënë në këtë film vendin e Blake Lively (Gossip Girl), për rolin e një gruaje që drogohet për t’u përballur me frikën e daljes së bashkëshortit nga burgu.
Bashkëshorti do të interpretohet nga Channing Tatum, një nga emrat që po spikat gjithnjë e më shumë në kinemanë amerikane, ndërsa Jude Law do të jetë psikiatri i gruas.
Në fillim të muajit, në premierën e filmit të bazuar në novelën e Stieg Larsson, aktorja 26-vjecare u shpreh se dëshironte vetëm që të ishte një aktore e mirë dhe jo një personazh i faqeve të para të revistave.
Ajo tha se kishte frikë se cdo gjë që rrethonte premierat e filmave dhe aktet promocionale do ta shpërqendronte nga qëllimi i saj kryesor.
“Dua të jem një aktore dhe jo një VIP. Mendoj se kjo gjë të dëmton kapacitetin për interpretim sepse sa më shumë të dinë njerëzit mbi ty aq më pak besueshmëri ke në sytë e tyre si personazh”, deklaroi Mara për revistën britanike “OK!”.
“E gjithë ajo që rrethon personazhet e famshme më duket sikur është krejtësisht jashtë kontrollit. Është cmenduri. Shpresoj që unë mos të prekem nga kjo”, shtoi 26-vjeçarja.
Top Channel