Andrea Stefani – Ajo që shqiptarët panë në emisionin “Opinion” ku ishte ftuar
kryeprokurorja Ina Rama, nuk qe një intervistë, por një dyluftim i egër i
dy gjërave të pangushëllueshme mes tyre.
Qe një dyluftim i ligjit, të drejtës dhe arsyes nga njëra anë dhe krimit, paligjshmërisë dhe padrejtësisë që skërmitej në anën tjetër. Në atë bisedë dyorëshe u kacafytën logjika e qetë dhe e pathyeshme e së vërtetës e rrënjosur në fakte, me gënjeshtrat, thashethemet dhe intrigat, arsenal 20-vjeçar i një pushteti politik që u ngjit me krim e vjedhje dhe këmbëngul të jetëgjatësohet me krim e gjak qytetar. U ndeshën ashpër Shqipëria e vjetër, e qorruar nga llumi i shpifjeve të një pushteti, dhe Shqipëria e re e institucioneve të lira, e aftë të mposhtë propagandën trullosëse të pushtetit, duke shpërndarë me rrezen e së vërtetës tymtajat mashtruese. U përballën kreu i një institucioni të mbetur ende i pavarur, me kreun e një pushteti që gjakon ta skllavërojë këtë institucion sikundër ka bërë me jo pak të tjerë. U përplasën tehet e ftohta të akuzave dhe kundërakuzave mendësia e lirisë dhe e kritikës qytetare që i bën lëshime vetëm të vërtetës, me kultin e liderit “Zeus” që duke skllavëruar çdo mendje dhe institucion, gjen energji të errëta të shpallë të bardhën të zezë, krimin të ligjshëm madje dhe vrasjen e qytetarëve virtyt shtetëror dhe kushtetues. Një pushtet, sado i gënjeshtërt, nuk ka nevojë të arrijë më shumë se kaq në mashtrimin publik. Sepse kush pranon si heroizëm, si të drejtë, si të përligjur vrasjen e njerëzve, ka humbur aftësinë për të arsyetuar dhe është i hapur të pranojë si të vërtetë çdo të vjellë të pushtetit. Pas kësaj vjen vetëm ajo shpëlarje trush dhe nënshtrim absolut ndaj një qeverie, që shqiptarët e kanë provuar për mbi 40 vjet nën diktaturën komuniste. Prandaj dyluftimi i prokurorisë me pushtetin berishist lidhur me të vërtetën e masakrës së 21 janarit, është një dyluftim që vendos piketat e historisë. Nëse fiton institucioni, fiton e vërteta, ligji dhe liria. Nëse fiton pushteti, do të triumfojë rrena, kulti i liderit, padrejtësia dhe nënshtrimi.
* * *
Ndoshta jo pak shqiptarë, ende të dominuar nga mendësia e forcës dhe triumfit mashkullor, e kanë pritur me skepticizëm intervistën e Ina Ramës. Por, si rrallë herë më parë, ata panë se çfarë force të madhe ka e vërteta edhe kur në anën e saj nuk janë muskujt, por brishtësia femërore, panë sesi qetësia e argumentit ushton më fort se të gjitha klithmat e gënjeshtrës, se logjika e bazuar në fakte bën hi dhe pluhur, pa zhurmë dhe bujë, rrjetën e shpifjeve që tentojnë të kapin në grackë të vërtetën. Nuk qe e vështirë të kuptoje se Ina Rama nuk po debatonte me Blendi Fevziun, por me Sali Berishën, jo me gazetarin, por me Kryeministrin. Si dhe me një pushtet të tërë që ndihet i rrezikuar, sepse është vënë prej saj nën akuzë. Por mbi të gjitha me Berishën, me kultin e një lideri që kërkon të nënshtrojë gjithkënd dhe të mos i nënshtrohet askujt, që kërkon të kufizojë këdo, ndërsa refuzon për vete çdo kufizim. Dhe kryeprokurorja diti ta fitojë atë dyluftim me një lehtësi të habitshme. Aq e plotë ishte ajo fitore e së vërtetës mbi gojëdhënat e pushtetit, e provës mbi thashethemin, e jurisprudencës mbi shpifjen politike, sa nuk mund të mos konstatosh se edhe “argumentet” e sjella më pas në deklaratën e PD kundër Ina Ramës, ishin hedhur poshtë në intervistën e saj në “Opinion”. E megjithatë, nuk mund të mos pyesësh: Përse Berisha e urren dhe e lufton kaq fort kryeprokuroren, përse e ka vendosur figurën e saj në qendër të ciklonit të pushtetit kundër opozitës? Shkaqet mund të jenë disa. Por njeri është po ai që e ka shtyrë të sulmojë jo pak kryeprokurorë të tjerë. Në këta 20 vjet tranzicion Shqipëria ka pasur 5 kryeprokurorë dhe vetëm me njërin prej tyre, Arben Qeleshin, që dërgoi në bankën e të akuzuarve Fatos Nanon, liderin e opozitës së atëhershme, Berisha ka pasur marrëdhënie të mira. Me 4 të tjerët, Maks Haxhinë, Arben Rakipin, Theodhori Sollakun dhe së fundi me Ina Ramën, ka hyrë në konflikt të ashpër. Pse? Më e pakta është se nuk kanë pranuar t’i shërbejnë pushtetit të tij autokratik. Dhe nuk është tërhequr nga ndeshja me ta derisa ose i ka detyruar të dorëhiqen ose i ka shkarkuar duke dhunuar edhe procedurat që dikton Kushtetuta. Kaq i papajtueshëm është interesi i këtij politikani me ekzistencën e një prokurorie të pavarur. Dhe sot shigjetat e shpifjeve i ka drejtuar kundër Ina Ramës kundër po asaj të cilën, kur sapo mori detyrën e kryeprokurores, e pagëzoi “Silvia Konti”. Por Berisha detyrohet ta sulmojë Ina Ramën sot jo vetëm se nuk ka pranuar t’i shërbejë, por edhe sepse ka guxuar të hetojë afera që rrezikojnë seriozisht pushtetin e tij pa kufi që ai gjakon ta shndërrojë edhe në një pushtet pa mbarim. Rama ka guxuar të hetojë dhe akuzojë qeverinë dhe beniaminët e Berishës për korrupsionin me rrugën e kombit, ka hetuar tragjedinë e Gërdecit një tjetër thembër e zbuluar e Berishës, ka hetuar dhe formuluar akuzë diskredituese për videoskandalin e Ilir Metës dhe së fundi për atë që po e përvëlon Berishën, masakrën e 21 janarit. Pikërisht sepse kryeprokurorja po heton duke bërë detyrën që i dikton Kushtetuta, Berisha e urren, e shan, e anatemon, tenton t’ia përbaltë pavarësinë institucionale me një partishmëri që ajo nuk e ka. Veç në rastin e Ina Ramës, Berisha nuk tenton ta shkarkojë. Shkarkimin e saj ai e ka në xhep, sepse në fund të këtij viti kryeprokurores i përfundon mandati. Një tjetër e keqe kjo që e kemi peshqesh nga ndryshimet e Kushtetutës më 21 prill 2008. Por Berisha nuk mund të presë deri atëherë. Ai tenton ta bllokojë kryeprokuroren tani, sot. Sepse nesër, kur të jenë zbuluar prej saj të gjitha misteret e vrasjeve të 21 janarit mund të jetë shumë vonë. Koshient për krimin e kryer nga pushteti i tij, Berisha sheh tek Ina Rama jo vetëm kryeprokuroren që nuk pranoi të bashkëpunoi për të vërtetuar një “puç” ekzistent vetëm në kokën e Kryeministrit, por edhe zhbiriluesen e asaj vrasjeje makabre, e vërteta e së cilës rrezikon të hedhë në erë pushtetin e tij. Marrëdhënia e Berishës me Ina Ramën bëhet kështu fatalisht si marrëdhënia e vrasësit me hetuesin e vrasjes. Prandaj edhe shpifjet e ngritura nga pushteti për të janë shprehje e një konflikti të qartë interesi dhe ndaj nuk mund të merren seriozisht. Por edhe në një pamje më sipërane: Si është e mundur të tolerohet pa mbarim një Kryeministër që është mësuar të gëlltisë, mesatarisht, nga një kryeprokuror në çdo 4 vjet? Një qenie e tillë nuk mund të jetë më një politikan, por një kuçedër politike. E ngjashme me atë të përrallës që hante çdo vit nga një vashë të fshatit. Ka ardhur momenti që Shqipëria të dalë nga faza kur Kryeministri gllabëron institucione për të hyrë në fazën e vërtetë të demokracisë, kur janë institucionet ato që “gllabërojnë” kryeministra. Nëse kjo do të ndodhë varet shumë nga dyluftimi mbi të vërtetën e 21 janarit që sapo ka nisur. Berisha e di mirë këtë. Prandaj planëzon të sulmojë kryeprokuroren edhe më egër. Ironia është se e sulmon “Silvia Kontin” pikërisht sepse po rezulton një Silvia Konti. Dhe pikërisht për këtë, Berisha nuk mund mos të të kujtojë Tano Karidin.
Top Channel