Acari godet Europën

31/01/2012 00:00

Mbi 60 persona, të pastrehë dhe të moshuar, humbën jetën nga i ftohti i acartë që ka pushtuar Europën Qendrore dhe atë Lindore.

Rënia e menjëhershme e temperaturave që do të vazhdojë deri të premten, detyroi disa prej qeverive të vënë në punë ushtrinë si dhe ngritjen e strehave të përkohshme.

Të paktën 30 persona, kryesisht të pastrehë, humbën jetën në Ukrainë. Viktima u raportuan në Poloni, Rumani, Bullgari dhe Serbi.

Zyrtarët ukrainas të Shëndetësisë thanë se, tre ditët e fundit, rreth 24 mijë persona gjetën një strehë në mbi 1500 qëndra të ngritura. Mbi 600 të tjerë kërkuan ndihmë mjekësore.

Të martën, bilanci i viktimave në Poloni shkoi në 21 të vdekur, disa prej të cilëve, të pastrehë të helmuar nga qymyrguri.

Meteorologët parashikojnë një renie të mëtejshme të temperaturave në fundjavë, nën 20 gradë Celsius gjatë ditës dhe minus 30 gradë natën.

Tetë viktima numërohen në Rumani dhe pesë në Bullgari. Në Serbi policia raporton për rreshje të dendura dëbore dhe vdekjen e tre të moshuarve, ndërsa dy të tjerë konsiderohen të humbur. 

BBC, i referohet raportimeve sipas të cilave, viktima nga të ftohtit ka patur edhe në Lituani, Bosnjë, Sllovaki dhe Republikën Ceke.

Top Channel