“21 janari, kompetente prokuroria”

30/01/2012 18:50

Ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Carola Müller-Holtkemper deklaroi se organi kompetent për hetimet e 21 janarit është Prokuroria e Përgjithshme.

Sipas saj, hetimi duhet te jete i mbështetur në parimet e shtetit ligjor dhe i pandikuar politikisht. Në një intervistë për radion “Deutsche Welle” ajo tha se:

“Lidhur me shkaqet e vdekjeve në 21 janar ekziston tanimë një ekspertizë voluminoze e FBI-së dhe mbetet vetëm të shpresojmë, që të mund të hidhen hapa të mëtejshëm duke u nisur nga kjo bazë solide e krijuar”.

Sipas saj, FBI-ja ka mbërritur në konkluzionet e veta mbështetur në ligje të njohura të fizikës. “Nëse këta ekspertë, nisur prej ligjesh fizike me vlefshmëri absolute, kanë mbërritur në përfundime të caktuara, atëherë nuk besoj se në këtë drejtim do të ketë devijime të mëdha. Në fund të fundit këtu nuk bëhet fjalë për çështje shijesh”, deklaroi ambasadorja gjermane në Tiranë.

Ajo thotë se ndërtimi i shtetit ligjor është kriteri më i rëndësishëm në kuadrin e procesit të integrimit evropian për Shqipërinë.


Jensen: Mbështesim institucionin e prokurorisë

Javën e kaluar ishte ambasadori i Danimarkës në Tiranë, Karsten Jensen, vendi i të cilit ka kreun e radhës së Presidencës së BE, që deklaroi se mbështet institucionin e Prokurorisë në hetimet e saj, duke vlerësuar paanshmerinë e saj, si dhe punën profesionale.

Gjatë një takimi me kryeprokuroren Ina Rama, ai u shpreh se cdo institucion ka për detyrë të punojë në mënyrë të pavarur, bazuar në ligj dhe jashtë çdo ndërhyrjeje, për të garantuar shtetin e së drejtës.

Sipas zyrës së shtypit të Prokurorisë së Përgjithshme, në takimin e zotit Jensen me kryeprokuroren Rama u trajtuan dhe çështje të veçanta me të cilat ndeshet drejtësia shqiptare, hetimi i plotë dhe i gjithanshëm i proceseve të ndryshme, siç janë ato që lidhen me ngjarjet e 21 janarit, transparenca dhe efektiviteti në gjykim.


Arvizu: Mbështetje të plotë prokurorisë

Ndërsa më herët gjatë muajit ishte ambasadori amerikan Alexander Arvizu, i cili në konferencën e shtypit të kryeprokurores Rama, deklaroi mbështetjen e plotë për prokurorinë shqiptare në kryerjen e hetimeve për 21 janarin.

Vetë prezenca e tij e tregonte këtë mbështetje, të cilën zoti Arvizu nuk ngurroi ta nënvizonte edhe me fjalë, sidomos pas sulmit të ardhur nga zyra e kryeministrit ndaj Prokurorisë së Përgjithshme.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara deklaroi prerë se hetimi është i paanshëm dhe hodhi poshtë akuzat politike ndaj institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme.

“Nuk mendoj se ky hetim është i motivuar politikisht. Mendoj se është e qartë se mbështetja jonë ka qenë e qendrueshme dhe e sigurtë”, deklaroi Arvizu.

Sipas ambasadorit amerikan, qëndrimi i ambasadës që ai drejton do të jetë gjithmonë në favor të organit të prokurorisë dhe do të mbetet i tillë deri në fund të hetimeve.

“Për këtë arsye SHBA mirëpresin ato që ka thënë sot prokurorja e përgjithshme. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim zyrën e saj derisa vazhdohet me këtë hetim dhe dëshiroj të theksoj se ka qenë qëllimi im që hetimi të ketë qenë i pavarur dhe i pamotivuar politikisht”, theksoi Arvizu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA