U inaugurua në Otranto monumenti “Mbërritja. Vepra për Humanitetin migrues” e krijuar nga skulptori grek Costas Varotsos duke veshur me luspa xhami pjesën e sipërme të anijes shqiptare Kater i Radës, një ide që ai e cilëson si nje shkrirje me anijen, një përqafim.
Mjeti shqiptar u mbyt me 28 mars të vitit 1997 i goditur nga Korveta e marinës ushtarake italiane Sibilla duke çuar në fund të detit 81 jetë, kryesisht gra e femijë.
Projekti dhe realizimi i këtij monumenti u shoqërua me polemika, si nga një pjesë e shoqërisë vendase, ashtu edhe nga të afërmit e viktimave të tragjedisë së të premtes së zezë.
Përfaqesuesja e komitetit të afërmve të viktimave Pushime Cala e cila nuk pranoi të zbulojë monumentin, tha për Top Channel se mbetet kundërshtimi i tyre dhe se ngritja e këtij monumenti nuk do të thotë mbyllja e kapitullit të kësaj ngjarjeje tragjike.
Për fat të mirë dy artiste të rinj shqiptare, Arta Ngucaj dhe Arben Beqiraj, kanë arritur të sigurojnë kthimin në bregun tjetër te Adriatikut në mënyrë simbolike të busullës dhe të fenerit të Katër i Radës do të çohen në Vlorë, ku do të kthehen në një monument arti.
Përveç përfaqësuesve të pushtetit vendor të Puglias në inaugurim qe i pranishëm një delegacion i marinës ushtarake italiane, madje pikërisht një prej drejtuesve të sallës së komandës së Tarantos e cila pati drejtuar operacionet më 28 mars të 1997.
Sipas investigimit të gazetarit italian Alessandro Leogrande nga kjo sallë ka dalë urdhëri për kryerjen e manovrës që çoi në mbytjen e Katerit të Radës. Ky gazetar nuk qe i ftuar në inaugurim, por kjo ndoshta është thjesht një harresë e organizatorëve.
Top Channel