Në morinë e shifrave të INSTAT-it, publikuar këto ditë në kuadër të censusit të ndërmarrjeve, për vitin 2010, konstaton të dhëna të habitshme dhe që ngjallin diskutime.
Përveç morisë së kioskave dhe bar-kafeve, ose dhe potencialit të vogël tregtar, ku rreth 85 për qind e bizneseve nuk xhirojnë më shumë se 5 milionë lekë në vit, konstatohet fakti tjetër se në vendin tonë operojnë 19 biznese, të cilat krijojnë një aktivitet me xhiro mbi 250 milionë lekë në vit.
Deri këtu nuk ka asgjë të habitshme, por duke pasur parasysh faktin se këto subjekte kanë vetëm një të punësuar, atëherë lindin shumë pikëpyetje.
Si mundet një individ i vetëm të kryejë një volum pune, pra të ketë një xhiro vjetore rreth 2.5 milionë dollarë e më shumë, pa pasur asnjë të punësuar në biznes, ishte pyetja që ngriti ditën e dielë e përditshmja “Shqip”.
INSTAT-i nuk e ka përcaktuar sektorin apo profesionin se ku e ushtrojnë aktivitetin të 19 ‘fatlumët’, por rendit fushat private me tregues të lartë pune.
Kështu, nga të dhënat mësojmë se sektori i riparimit të automjeteve, serviset, kanë peshë të konsiderueshme në treg, me numrin më të madh të subjekteve (351) me xhiro 250 milionë lekë në vit, e ndjekur nga industria me 115 subjekte.
Duke e analizuar më tej, vështirë se një riparues makine, mekanik apo një individ në fushën e industrisë përpunuese (industrisë!!) kryen i vetëm 2.5 milionë dollarë në vit, apo më tej, i vetëm që merret me bujqësi, peshkimi, bar-restorant, ndërtues, etj.
Si sektorë, këto aktivitete sigurojnë të ardhura të mjaftueshme, por kanë të punësuar të paktën 10 vetë, kurse INSTAT raporton se 19 biznese me një të punësuar kanë arritur, në vitin 2010, kulmi i krizës, të kenë një aktivitet me volum të lartë.
Duke parë fushat private, i vetmi konkluzion del se këto xhiro mund t’i realizojë një artist që merret me muzikë, avokat, financier apo një mjek, të cilat konsiderohen profesione të veçanta, që hyjnë në fushën e shërbimit dhe deri diku mund të konceptohen individualiste.
INSTAT ka regjistruar mbi 115 mijë subjekte, ku natyrisht nuk i kanë shpëtuar anketës edhe kategoria e mësipërme. Kështu, në aktivitetin privat në fushën e “shërbimeve kolektive sociale”, kemi 4470 subjekte, ku më shumë se 75 për qind janë të vetëpunësuar, pra “vetë zot, vetë shkop”, sikurse kemi në sektorin e shëndetësisë dhe veprimtarive sociale, ku nga 2126 subjekte, rreth 45 për qind nuk kanë të punësuar më shumë se 1 person, 50 për qind është në aktivitetin financiar (p.sh., kontabilistët) etj.
Tjetër shpjegim i të dhënave mbi mospërputhjen e xhiros vjetore me numrin e punonjësit mund t’i atribuohet evazionit fiskal, duke mos deklaruar numrin real të forcës punëtore, me qëllim shmangien e taksave.
Top Channel