Mazhoranca ka vijuar serinë e akuzave të forta ndaj Prokurores së Përgjithshme Ina Rama duke e cilësuar atë si pjesë të të njëjtit kamp me kreun e opozitës Edi Rama.
Në emër të Partisë Demokratike, deputeti Fatbardh Kadilli e cilësoi lidhjen politike mes tyre si pjesë të një skenari që synon të shmangë përgjegjësinë e vërtetë për 21 janarin.
“Unë nuk do të ndalem në trillimet dhe mashtrimet e Ina Ramës, sepse për shqyrtimin e tyre ekzistojnë të gjitha mundësitë, por dua tu rikujtoj shqiptarëve se në datën 22 janar, në orën 4 të mëngjesit, Edi Rama kërkonte në mënyrë ultimative arrestimin e “horrave” të gardës duke i cilësuar si persona shoqërisht të rrezikshëm, ekzaktësisht siç shprehet “shoqja e bulevardit”. Kjo dëshmon bashkërendimin e ngushtë midis tyre. Pas një viti, në intervistën e saj, Prokurorja e Përgjithshme akuzoi gardistët për vrasje me dashje dhe spekulloi me ekspertizën e ardhur nga FBI-ja. Sqarojmë shqiptarët se në ekspertizën e FBI-së nuk flitet për vrasje me dashje, por për të shtëna vdekjeprurëse, ndërsa akuza e prokurores është formuluar nga Edi Rama në një tentativë të përbashkët dhe të pashpresë së tyre për t’i shpëtuar përgjegjësisë për 21 janarin”, theksoi Kadilli.
Ndërkohë, përmes rrjetit social Twitter nga Greqia, ku kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama është takuar me emigrantë për të diskutuar programin e kësaj force politike, ai dënoi përmes bashkëbiseduesve të tij sulmet ndaj Prokurores së Përgjithshme.
Edi Rama citon një ndër pyetjet e para që i është bërë në Athinë nga një grup shqiptarësh, ishte se si Bashkimi Europian mund t’i hapë dyert një vendi, kryeministri i të cilit shan për turp Prokurorin e Përgjithshëm.
Rreth 60 minuta më pas, kryesocialisti, sërish përmes Twitter, theksoi se “kryeministri vazhdoi akuzat ndaj kryeprokurores me sharje turpëruese për Shqipërinë”. Por, siç thekson ai, provat e hetimit janë gozhduese, ndërsa sharjet provojnë se përse duhet ndryshim.
Top Channel