Forca e tretë parlamentare në Kosovë, lëvizja Vetëvendosje, i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, ende pa u bërë një javë, për një vendim të Kuvendit të Kosovës.
Më 20 janar shumica e deputetëve të Kuvendit miratuan mocionin e Partisë Demokratike të Kosovës me 4 pika dhe Vetëvendosje i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të vlerësojë kushtetutshmërinë e pikës së parë të këtij vendimi.
Në pikën e parë thuhet se: “Kuvendi i Kosovës mirëpret marrëveshjet e arritura mes qeverisë së Kosovës dhe Serbisë përmes procesit të dialogut dhe mbështet zbatimin e tyre të tërsishëm”.
Për këtë votuan ‘pro’ 59 deputetë dhe sipas kreut të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, pikërisht kjo është antikushtetuese, pasi për t’u ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare kërkohen votat ‘pro’ nga 2/3 e deputetëve, apo 80 të tilla.
Po ashtu, sipas tij, është shkelur Kushtetuta pasi Kuvendit nuk i është kërkuar t’i ‘ratifikojë’ marrëveshjet por t’i ‘mirëpresë’ dhe ‘mbështesë’ ato.
“Kuvendi nuk mund të ratifikojë marrëveshje ndërkombëtare me 59 vota. Kuvendi i ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare me 2/3 e votave. Kjo është e rregulluar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në këtë drejtim, kjo tendencë për të mos e quajtur ‘ratifikim’, por ‘mirëpritje’ dhe ‘mbështetje’ në zbatimin e tyre, i jep obligim ligjor Kuvendit që të angazhohet në zbatimin e marrëveshjeve. Ndërkohë që është shkelur Kushtetuta pikërisht në faktin se nuk është kërkuar nga Kuvendi që t’i ratifikojë ato marrëveshje dhe pastaj të marrë përgjegjësinë, të themi, juridike, në zbatimin e tyre”, deklaron Ymeri.
Shefi i grupit kuvendor të Vetëvendosjes thotë se përmes këtij mocioni të PDK-së u kontrabanduan në Kuvend nga “një deriçkë” marrëveshjet e arritura deri tani me Serbinë në Bruksel.
Të premten e 20 janarit, pas një debati të gjatë të zhvilluar në Kuvendin e Kosovës, me 59 vota pro, 41 kundër, dhe 1 abstenim u rrëzua mocioni i lëvizjes Vetëvendosje që detyronte qeverinë e Kosovës të vendoste reciprocitet politik, ekonomik e tregtar me Serbinë.
Tashmë, përmes mocionit të ri, parashikohet që qeveria e Kosovës të ketë kompetenca të plota për zbatimin e masave të reciprocitetit me Serbinë dhe për ecurinë e këtyre masave duhet t’i raportojë Kuvendit.
Top Channel