Erjon Brace deklaron se nuk do ta zbatojë vendimin e asamblesë së Partisë Socialiste për t’u deleguar në qarkun e Korcës.
Këtë ai e bëri të ditur gjatë një takimi me strukturat lokale të Partisë Socialiste në Berat, ku dhe është zgjedhur deputet.
“Në konsultim me drejtuesit e PS në berat dhe Kucovë, qëndron në fuqi ajo që kam thënë, që për asnjë arsye, për asnjë ofiq, nuk pranoj të lë kandidimin në qarkun e Beratit”, deklaroi Brace.
Asambleja e Partisë Socialiste vendosi të bëjë rishpërndarje të të deleguarve në qarqet e vendit, duke lëvizur edhe deputetin Brace nga Berati për në Korcë.
Lëvizjet e tjera në kuadër të këtij riorganizimi janë: Ben Blushi nga Korca në Elbasan, Namik Dokle në Berat, Valentina Leksaj në Vlorë, Arben Malaj nga Vlora në Kukës, në Tiranë Legisi, Arta Dade dhe Saimir Tahiri, që nuk lëviz, Gjermeni në Durrës, Pandeli Majko në Dibër, Kodheli dhe Bushati në Shkodër.
Në morinë e emrave të përfshirë në këtë proces bijë në sy edhe ai i ish-kryeministrit dhe ish-kreut të PS, Fatos Nano i cili së bashku me Rexhep Mejdanin, Ylli Bufin dhe Servet Pëllumbin si anëtarë të përhershëm të Asamblesë Kombëtare janë pozicionuar nga kjo strukturë si të deleguar nderi në qytetin e Tiranës.
Top Channel