Gjysmëfinalja e ‘The Voice of Albania’

27/01/2012 19:30

“The Voice of Albania” ishte në fokus të emisionit ‘Pasdite në Top Channel’. Të premten në mbrëmje zhvillohet gjysmëfinalja e parë dhe rrethi i konkurrentëve në garë ka shkuar në 12.

Gjatë spektaklit të sotëm 4 prej tyre do të largohen! Ata janë shumë të dashur dhe kanë dhënë përshtypjet e tyre para garës emocionuese.

Skuadra e Miriamit

Elisi shprehet: “Që nga pjesëmarrja në The Voice ka pasur shumë ndryshime në jetën time. Unë shpresoj që “Voice” ta fitojë më i miri!”

“Kam shumë frikë dhe emocionet janë shumë më të mëdha se sa herët e tjera”, thekson Xheraldina.

Ndërsa Enrika është paksa e pasigurtë: “Kësaj radhe kam një këngë “funky”, ndryshe nga herët e tjera dhe nuk jam plotësisht e sigurtë. Më pëlqen shumë, por është ndryshe nga çdo këngë tjetër dhe do të mundohem ta sjell sa më mirë.”

Skuadra e Almës

“Ka shumë emocion, provat bëhen gjithmonë e më intensive dhe shpresoj që të kualifikohet më e mira. Nuk e kam fjalën vetëm për grupin tim, por për të gjithë konkurrentët. Është e vërtetë që unë jam lidhur më shumë me kandidatët e mi dhe ndihem keq sa herë që largohet një nga të ekipit tim, por uroj që të kalojë më i miri”, nënvizon Alma Bektashi.

Për trajneren, një këngëtar duhet të ketë edhe vlera njerëzore përveç atyre vokale: “Nuk mendoj se një këngëtar duhet të ketë vetëm zërin të bukur, por një shpirt artisti.”

Rina, e cila do të këndojë një këngë të Tina Turner, thotë: “Njerëzit më ndalojnë në rrugë, më nxisin edhe më shumë. Gjithmonë tregohen të sjellshëm dhe më bëjnë komente të mira.”

Nga ana tjetër, Alisiana shprehet se muzika është prioriteti i saj në jetë: “Muzikës i kam dhënë prioritet gjithmonë. Studioj për gjuhë të huaja në universitet dhe shkolla do të mbarohet, por rruga e muzikës është kryesorja për mua. Edhe nëse eliminohem nuk do të heq dorë kurrë nga muzika.”

Ndërsa Arilda është shumë e bindur në aftësitë e veta: “Do të kem këngën ‘Je T’aime’ nga Lara Fabian. Dua të paraqitem  mirë dhe nuk kam frikë asnjë nga konkurrentët.”

Skuadra e Eltonit

Elton Deda pret me padurim që kjo e premte të kalojë në mënyrë që të mos ketë më përgjegjësinë për të eliminuar konkurrentë në ‘The Voice of Albania’.

“Kjo e premte ka të mirën dhe të keqen e vet. E keqja është se unë edhe kësaj here do të duhet të eliminoj një nga skuadra ime. E mira është se pas kësaj të premteje unë nuk do të eliminoj më askënd dhe gjithçka do të jetë në dorën e publikut”, shprehet Eltoni.
“Voice që tani ka më shumë se 4 këngëtarë të strukturuar dhe shumë herë më të mirë se ata që janë në treg sot”, shton trajneri.

Fabiola, ndryshe nga të tjerët, nuk është aspak në ankth në prag të kësaj gjysmëfinaleje të parë: “Nuk kam stres sepse jam e kënaqur me atë që kam arritur këtu deri tani. Po e marr me sportivitet gjithçka. Do më pëlqente që të isha edhe javën tjetër këtu, por të shohim.”

Marsela thekson: “Spektaklin po e pres me shumë ankth dhe shumë emocione. Puna me Eltonin ka qenë gjithmonë shumë e mirë. Ai kërkon shumë prej nesh dhe kemi besim tek profesionaliteti i tij.”

“Në këtë fazë të gjithë janë konkurrentë të fortë, por nuk do e them se kë kam më shumë frikë”, shton Ylli.

Skuadra e Sidritit

“Që kur ka filluar Voice, unë jam i përkushtuar 100%. Kemi emocione njësoj si pjesëmarrësit, për të mos thënë më shumë sepse ne jemi ata që detyrohemi të largojmë konkurrentët”, shpjegon Sidrit Bejleri.

Trajneri është i bindur se koha do të tregojë se sa të vlefshëm janë pjesëmarrësit e Voice: “Nuk e di nëse do të gjejnë vend në treg këta këngëtarë sepse në Shqipëri ka 1 milion këngëtarë, por jam i bindur që koha do të tregojë gjithçka.”

I sinqertë Driloni: “Jemi shumë pranë finales dhe do të më ngelte shumë peng nëse do të eliminohesha tani.”

Ndërsa Lundrimi është i lumtur me famën që i ka dhënë ‘Voice’: “Njerëzit na njohin në rrugë, kanë më shumë respekt, na ndalojnë dhe na flasin. Të bëhet qejfi.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA