Brad Pitt dhe Angeline Jolie jetojnë si një çift i martuar që prej vitit 2005. Megjithatë, prindërit e gjashtë fëmijëve vazhdojnë të figurojnë si beqarë, pasi nuk e kanë marrë kurrë “mundimin” që të martohen ligjërisht.
Më parë, Pitt dhe Jolie kanë thënë se do të celebrohen vetëm kur martesa për homoseksualët të bëhet e ligjshme në të gjitha shtetet amerikane, një mënyrë kjo për t’u solidarizuar me kërkesat e barazisë së komunitetit gay.
Megjithatë, në një intervistë për “Hollywood Reporter”, Pitt u shpreh se nuk mund të presë më gjatë dhe se dëshiron që të martohet zyrtarisht me partneren e tij prej shtatë vitesh sa më shpejt që të jetë e mundur.
”E di që kemi bërë një deklaratë të fortë dhe kemi thënë se nuk do të martohemi deri sa këtë të drejtë ta kenë të gjithë qëniet njerëzore, përfshi edhe homoseksualët, por kam frikë se nuk do të jemi në gjendje ta realizojmë këtë premtim”, shprehej Pitt në intervistë.
”Martesa në kushtet tona nuk ka ndonjë rëndësi të madhe, pasi praktikisht jemi të martuar, por gjithsesi, do të ishte e bukur që edhe ligjërisht të shpalleshim të martuar. Do të kishte një domethiënie të rëndësishme për mua dhe fëmijët tanë”.
Megjithatë, Pitt nuk qëndroi pa riktheksuar mbështetjen e tij të fortë për komunitetin gay. “Të martohesh është një e drejtë njerëzore dhe më duket revoltuese se si jo të gjithë e kanë këtë të drejtë. Personat gay duhet të kenë të drejta të barabarta dhe të jenë në gjendje që të krijojnë një familje si të gjithë të tjerët”.
Deklararta e Pitt vjen pas një zbulimi tjetër shokues, atë se kishte qenë një përdorues i rregullit i marihuanës në fillim të viteve 1990, atëherë kur kaloi një gjendje depresive, për shkak të vështirësive në përballimin e famës së tij.
Top Channel