Ndërtimi, ndizet konflikti Basha-Olldashi

26/01/2012 08:05

Tashmë nuk mund ta fshehësh faktin se mes ministrit të Punëve Publike, Sokol Olldashi, dhe kreut të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, po formohet një konflikt, i heshtur, i cili dje u zyrtarizua në një nga mbledhjet e Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese.

Dy zyrtarët e lartë, njëherësh krerët kryesorë të Partisë Demokratike, lidhën disa muaj më parë një marrëveshje bashkëpunimi, për zhbllokimin e pallateve pa leje, me synim hipotekimin e tyre me afate të shpejta, por rezultatet e deritanishme nuk tregojnë frymën e duhur të partneritetit.

Ditët e fundit, Ministria e Punëve Publike kishte sjellë në Kuvend ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të rishikuar, me disa propozime, të miratuara më parë në qeveri, më 14 dhjetor 2011.

Këto ndryshime të kërkuara nga ministri Sokol Olldashi prekin kategorinë e atyre objekteve të përfunduara ose në proces, të braktisura nga investitori për një sërë shkaqesh, duke i lënë të pakolauduara.

Ministria propozon që kolaudimin ta kryejë Bashkia e Tiranës me fondet e saj, për t’i hapur rrugë procesit të dhënies së lejes së shfrytëzimit dhe më pas të hipotekimit.

Juristi i ministrisë, Iglan Peci, thotë se pas mbylljes së këtyre procedurave, i jepet kohë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të hipotekojë pronën brenda dhjetë ditësh.

I pyetur nga deputetët se cili ishte mendimi i bashkisë, juristi i Punëve Publike tha se nuk kishte asnjë vërejtje nga njësia lokale. Pikërisht këtu nis zbardhja e konfliktit, pasi kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, demokrati Jemin Gjana, tha se bashkia ishte ankuar tek ai vetë.

“Në formë jozyrtare, kam marrë ankesë nga bashkia për ndryshimet e kërkuara nga Ministria e Transporteve”, reagoi Gjana. Për të pasur një ide sa më të qartë të situatës, kryetari i komisionit kërkoi praninë e institucioneve të tjera, pjesë e procesit, si Agjencia e Legalizimeve dhe Bashkia e Tiranës, të cilat nuk ishin në Kuvend gjatë diskutimit të ligjit.

Në këto kushte, Gjana e pezulloi miratimin e ndryshimeve të propozuara nga Olldashi deri në “moment të dytë”, kur të dëgjohen edhe palët e tjera.

Përplasja

Zëvendëskryetari i komisionit, deputeti socialist, Eduard Shalsi, sqaron pjesë të ndryshimit të ligjit. “Në vitin 2008, qeveria amendoi ligjin në fjalë, duke i kaluar të gjitha kompetencat për legalizimin e këtyre objekteve ALUIZNI-it, institucion në varësi të Ministrisë së Transporteve dhe Punëve Publike”, thotë Shalsi, i cili vite më parë ka mbajtur postin e n/kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Sipas tij, bashkia i kaloi agjencisë në vitin 2008 rreth 400 dosje, të cilat kishin probleme me lejet etj. “Që nga ky moment, bashkia nuk ka më atribute dhe se procesi i legalizimit të objekteve me probleme i ka kaluar ALUIZNI-it, ku futen edhe në rastin konkret objektet që kanë nevojë të kolaudohen”, tregon Shalsi.

Nuk dihet me saktësi sa është numri i objekteve që nuk kanë ende certifikatën e kolaudimit, pasi përfaqësuesi i ministrisë nuk kishte statistika, ajo që kuptohet qartë ka të bëjë me problemin e radhës, të ngërçit me pallatet pa hipotekë, të cilat edhe pse me marrëveshje trepalëshe (bashkë me Ministrinë e Drejtësisë), duken larg zgjidhjes.

Bashkia nuk pranon të marrë përsipër t’i kryejë me shpenzimet e veta kolaudimin, duke realizuar në njëfarë mënyre shërbimin ndaj qytetarëve, por nga ana tjetër ndodhet në situatë të sikletshme pasi kryetari Basha ka premtuar publikisht për zgjidhjen e problemit të hipotekimit.

Juristi i ministrisë thotë se kanë mbërritur shumë ankesa nga qytetarët e Tiranës dhe prandaj propozohet që bashkia t’i japë zgjidhje problemit.

Duket qartë se taktika e Olldashit për të vendosur Bashën në situatë sprove po jep rezultat, pasi me ‘finten’ e veteranit Gjana, u mësua publikisht se bashkia është kundër zgjidhjes së problemit, ose nuk ka mundësi.

Për më qartë rreth kundërshtive, kryetari ka kërkuar që në komision të jenë të pranishëm të tria institucionet: bashki, ministri dhe agjencia e legalizimeve. Në 2008-n, bashkia i kaloi ALUIZNI-t për kompetencë shqyrtimin e rreth 400 dosjeve pa lejet përkatëse

Neni 12

Në rastet kur investitori, që ka ndërtuar objektin, është larguar ose shoqëria tregtare ka falimentuar, është likuiduar apo çregjistruar nga regjistri tregtar, apo nuk ka kryer kolaudimin e objektit pa shkaqe të vlefshme ligjore, atëherë procedura në vazhdim do të ndiqet nga njësia përkatëse vendore, e cila do të caktojë një kolaudor të licencuar për përgatitjen e procesverbalit të kolaudimit. Shpenzimet do të përballohen nga njësia e qeverisjes vendore.  

Kolaudimi

Është veprimi ligjor që ballafaqon të gjitha punimet e kryera nga inxhinierë të licencuar. Në rast se objekti nuk përputhet me projektin dhe lejen, atëherë nuk jepet miratimi i kolaudimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA