Berisha: Topi kërkoi zgjedhje

26/01/2012 19:35

Kryeministri Sali Berisha ka dhënë një intervistë për emisionin “Fakt” në UTV, intervistë që është rimarrë gjerësisht edhe nga shtypi i përditshëm.

Duke prekur ngjarjet e 21 janarit, kryeministri ofroi në fakt komentet e tij të para pas konferencës për shtyp të kryeprokurores Ina Rama.

Kryeministri mbrojti edhe në këtë shfaqje publike idenë e pucit, por ajo që është e re në pohimet e tij ka të bëjë me Presidentin e Republikës. i pyetur nga gazetari Çlirim Peka, kryeministri ishte i prerë kur tha se presidenti Topi u ka kërkuar diplomatëve të huaj zgjedhje të parakohshme:

”Këta zotërinj (diplomatët) shkojnë dhe takojnë zotin Topi dhe zoti Topi u thotë se kriza zgjidhet vetëm me zgjedhje të parakohshme. Kjo është e vërteta… Absolutisht po! Dhe faktori ndërkombëtar ka dalë nga zyra duke thënë se ai zotëria ka të drejtë… Njëri prej tyre të paktën”, komentoi Berisha.

Kryeministri vazhdon më tej, duke e konsideruar hetimin si fatkeqësinë e dytë të 21 janarit.

”Ina Rama, po të kishte qoftë edhe një nanogram morali profesional, ajo kurrë nuk do ta merrte përsipër hetimin e kësaj çështje, do të kërkonte emërimin e një prokurori të shkëputur prej saj dhe do të pranonte të hetohej vetë, nga e para tek e fundit, por këtë s’e bënte dot, sepse i dilte implikimi. Këtë s’e bënte dot, sepse s’e linte Edi Rama. Këtë se bënte dot, sepse s’e linte Bamir Topi. Unë kisha një mundësi: përjashtimin e Ina Ramës nga hetimi. Po të doja, atë e përjashtoja, ajo në hetim nuk merrte pjesë personalisht. Kisha instrumente ligjorë, bëja ligj në parlament. Por, duke i hequr totalisht besimin, unë pranova që ajo të dalë çdo ditë e më shumë para shqiptarëve në dritën e diellit. Çdo ditë e më shumë… Hetimin nuk mund ta bëjnë ata të cilët do të hetohen. Jo! Nga Ina Rama ka vetëm prishje të provave intensive, shitje të dokumenteve dhe pengesa nga më seriozet të hetimit gjatë një viti”, theksoi Berisha.

I pyetur nëse 21 janari do të hetohet pra nga një kryeprokuror i ri, kryeministri përgjigjet: “21 janari do të hetohet në kushtet më normale. Dhe është kusht për paqen e këtij vendi, që të hetohet. Kaq! Nuk zgjidhet 21 janari me listën që bën Edi Rama për hetim”.

Kryeministri nuk e thotë qartë, por e lë të nënkuptohet se hetimi do të kryhet nga prokurori i ri, i cili do të zgjidhet nga presidenti i ri, që ky i fundit do të zgjidhet nga kryeministri Berisha.

Por, deklarimet e fundit të kryeministrit shtrojnë pikëpyetjen e madhe se me çfarë argumenti do të shtyhen hetimet deri në nëntor, kohë kur i mbaron mandati edhe Ina Ramës?

Çfarë plani ka për këtë mazhoranca, tani që ekspertiza e FBI-së konsiderohet si e pakundështueshme? Intervista vijon me vlerësime për punonjësit e gardës, të cilët kryeministri i cilëson heronj, ndërkohë që Berisha është evaziv sa i takon ndërhyrjes në serverin e kryeministrisë.

“Asnjë punonjës i Kryeministrisë nuk është përgjegjës për sistemin e kamerave jashtë ndërtese. Punonjësi i Kryeministrisë është përgjegjës për kompiuterat dhe të gjithë sistemin kompjuterit. Dhe janë dy IT që përgjigjen për këtë… Stafi i kryeministrisë nuk e ka kompetencën e serverit, por është marrë për t’u kontrolluar, sepse këtu ka disa sisteme kamerash të vjetra. Eshtë marrë një kompani e cila ka bërë të gjithë konstatimin. Dhe ky konstatim i kompanisë, i është dërguar prokurorisë me vulë dhe me firmë nga Kryeministria, përpara se ata të vijnë dhe të marrin serverin”.

Kryeministri e cilëson “trillim”, “manipulim fatkeq me fatkeqësinë”, akuzën se dikush në emër të tij ka folur me një prej familjeve të viktimave që ta presin për ngushëllim, në këmbim të fotos së vrasësit të të afërmit të tyre.

Intervista mbyllet me zgjedhjen e presidentit të ri, ku kryeministri Berisha, i pyetur për kandidaturën e mundshme të Jozefina Topallit, e ngre lart për kontributin e saj në Partinë Demokratike dhe duket është i vendosur, për të mos pranuar kandidaturën e Fatos Nanos, pavarësisht vlerësimit që ka për të.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA