Barca “përzë“ Realin nga kupa

26/01/2012 01:20

Edhe pse ka arritur të barazojë, në Kamp Nou 2-2, Reali i Madridit është eliminuar në cerekfinale nga Kupa e Mbretit nga rivali i tyre i përjetshëm Barcelona.

Një takim që fillon ndryshe me presionin e madrilenëve të cilët që në minutat e para rrezikojnë dy herë me Higuain, ndërkohë që edhe Kristiano Ronaldo bën të tijën duke rrezikuar portën e Pintos, por e pamundur.

Një goditje spektakolare e Ozil nga rreth 40 metra, ndalet nga tranversa e sërish është me fat portieri i Barcelonës.

Në kulmin e sulmeve të skuadrës së Mourinjos, përmbyset gjithcka. Mesi bën mrekullinë me një aksion personal që e finalizon me një assist për Pedron i cili nuk mund të gabojë.

Në mbyllje të 45 minutave është Dani Alvesh që me një predhë nga larg con topin aty ku nuk e mendonte e as mbërrinte, Iker Kasijas.

Në disavantazhin e dy golave Reali gjen forcën për t’u kundërpërgjigjur, sidomos me futjen në lojë të Karim Benzema.

Ozil bëhet protagonist në golin e parë të madrilenëve duke i dhuruar asistin Kristiano Ronaldos, ndërsa francezi, pak minuta më pas në mënyrë spektakolare kalon Pyjol e shënon golin e 2-2.

Tronditen disi pozitat e skuadrës së Guardiolës megjithatë mbajnë ritmin katalanasit e luajnë me nervat e lojtarëve të Realit, dy prej të cilëve dalin me kartonin e kuq pak minuta nga përfundimi. I pari Serxhio Ramos dhe në fund Pepe, gjithsesi pak vlejnë këto largime, pasi gjithcka mbetet e pandryshuar deri në vërshëllimën përfundimtare.

Ndërkohë që lojtarët e Realit e mbyllin takimin mes polemikave me gjyqtarin, Barcelona kalon në fazën gjysmëfinale të Kupës së Mbretit.

 

Top Channel