Lojrat e fatit në Shqipëri

25/01/2012 19:55

Lojrat e fatit janë shndërruar në një plagë të shoqërisë, të afta për të shkatërruar me dhjetëra e dhjetëra familje e jetë njerëzore.

Emisioni i “Pasdites” zbuloi ditën e mërkurë disa prej rasteve tragjike që kanë shtyrë bixhozxhinjtë deri në vetvrasje, vrasje apo vjedhje. Megjithatë, në studio, psikiatri Neli Demi dhe kryetari i Shoqatës të Parandalimit të Bixhozit, Edmond Arizaj, debatuan gjatë rreth fenomenit.

”Në materialin filmik e kishit konsideruar si drogë dhe kjo është pjesërisht e saktë, pasi në të dyja rastet, si në rastin kur luan kumar, ashtu edhe kur praktikon lojrat e fatit, janë të njëjtat vatrat në tru që aktivizohen. Këtë e kanë verifikuar testimet me aparaturat më moderne”, shpjegoi psikiatri Demi.

Megjithatë, sipas tij, “varësia nga lojrat e fatit është shumë më e komplikuar dhe më e vështirë për t’u trajtuar sepse ka një komponent psikologjik. Është e vështirë sepse komplikacionet që shkaktohen janë nga më të ndryshmet. Aspektet e jetës së individit që preken nga fenomeni janë shumë më të gjëra. Lojrat e fatit krijojnë problemeve të thella psikologjike dhe shumë të ndryshme se varësia nga droga, e cila është një varësi thellësisht biologjike”.

Për t’u kuruar, vetëm vullneti nuk mjafton. “Hapi i parë është të pranosh problemin, pasi kemi shumë raste që mbërrijnë tek ne të shtyrë nga familja, por nuk e kuptojnë që po bëjnë gabim. Këto janë rastet e pamundur për t’u ndihmuar, pasi mungon elementi kryesor, ai i një njeriu që me të vërtetë dëshiron të ndryshojë”, u shpreh mjeku.

”Është diçka e rrallë që dikush të kurohet vetëm nëpërmjet vullnetit. Këto janë raste unike. Shumica e atyre që zhvillojnë këtë varësi kanë nevojë për shërbime të posaçme, për t’u ndihmuar të dalin nga ky problem. Janë të domosdoshme terapi të ndryshme psikologjie, terapi grupi me persona me të njëjtin problem dhe ndonjëherë edhe mjekimi është i nevojshëm, për të bërë që të kontrollohet impulse. Në vende perëndimore, ka edhe masa më efikase se kaq, si kontratat e firmosura me kompanitë që të nxjerrin jashtë, e madje të arrestojnë nëse tenton të luash ose kontratat që të ndalojnë të marrësh fitimet nëse fiton, të cilat të heqin stimulin. Ç’është më e keqja, përhapja në Shqipëri është e jashtëzakonshme”.

Duke rrëfuar kontaktin e tij me kumarin, Arizaj kujtoi se: “Kam nisur të luaj që në klasë të parë, kur isha shtatë vjeç. Më vonë fenomeni u përforcua në gjimnaz, në shkollën e lartë, pas saj, deri sa një ditë arrita të thoja stop. Përpara viteve 1990, luhej me shuma të vogla parash, por më vonë u futën kompiuterat, pokeri, lojrat nëpërmjet internetit, kazinoja, dhe fenomeni u bë jashtëzakonisht më i përhapur”.

”Një kumarxhi, mendon që po bën gabim vetëm në orën 4-5 të mëngjesit, kur i ka humbur të gjitha”, ironizoi Arizaj, që nuk e konsideron kumarin një fenomen, por një sëmundje në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Në emisionin e “Pasdites” u transmetua edhe dy sekuenca filmike. E para, e realizuar nga gazetari Muhamed Veliu, tregoi se sa i përhapur ishte bixhozi midis emigrantëve shqiptarë në Londër ndërsa video e dytë, e bërë me kurriz, ishte intervista e një personi të regjur me lojrat e fatit.

”Nëse do të kisha investuar paratë e lëna në bixhoz, sot do të kisha disa shtëpi dhe fëmijët e mi nuk do të duhet të punonin për të jetuar”, rrëfeu kumarxhiu. “Bixhozi më ka transfomuar. Shkoja në shtëpi nuk haja, pija vetëm cigare, nuk i flisja njeriu nga nervat që kisha dhe rrihja fëmijët, derisa sa gruaja më ndau”.

Ndonëse për 30 vjet me radhë, lojrat e fatit i kanë shkatërruar jetën, kumarxhiu pranoi me keqardhje: “Nuk kam çfarë të bëj, nuk e lë dot. Nëse do të kisha më shumë para, jam i sigurt që do të lija shuma edhe më të mëdha”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA