Hand: Hetim deri në fund 21 janarit

25/01/2012 18:50

Këshilltari i Komitetit amerikan të Helsinkit, Bob Hand ka përshëndetur zhvillimet e fundit në hetimet mbi ngjarjet e 21 janarit në Shqipëri, pas ardhjes së ekspertizës së FBI-së.

Në një intervistë për VOA, Hand ka shprehur shpresën e tij që proçesi hetimor të shkojë deri në fund, në mënyrë që të rritet besimi tek sistemi shqiptar i drejtësisë.

“Së pari, jam shumë i kënaqur që shikoj se është bërë përparim që po çon në arrestimin e shpresoj edhe në gjykimin e personave që mund të kenë qenë përgjegjës për vrasjet e një viti më parë. U desh një kohë e gjatë për ta bërë dhe jam i sigurt se shumë njerëz në Shqipëri presin me padurim, duke e përdorur këtë zgjatje në kohë për të kritikuar tërë procesin”, ka deklaruar Hand.

“Por kjo është një çështje shumë serioze dhe fakti që FBI-ja u përfshi në hetim nënkupton se hetimi është i besueshëm dhe serioz. Ne nuk mund të paragjykojmë fajin sepse të akuzuarit janë të pafajshëm deri sa të provohet faji. Por le të shpresojmë se i gjithë ky proces do të çojë në një besim më të madh te sistemi gjyqësor në Shqipëri. Prandaj mendoj se njoftimi i prokurores, dhe fakti që ambasadori amerikan u ndodh pranë saj kur u bë njoftimi, ishte një shenjë shumë e mirë”, ka theksuar ai.

I pyetur për sulmet e kryeministrit ndaj prokurores së përgjithshme dhe institucioneve të tjera kushtetuese, Hand është shprehur kundër retorikës së ashpër politike. Sipas tij, institucionet duhen lënë të bëjnë të qeta punën e tyre.

“Duhet të them se mërzitem mjaft kur vazhdoj të dëgjoj retorikë me tone të larta që sulmon individë të caktuar, qoftë prokuroren e përgjithshme, presidentin apo udhëheqësin e opozitës, ndërkohë që institucionet bëjnë punën e tyre. Është e natyrshme që të ketë fërkime mes këtyre institucioneve të ndryshme, por të ngresh akuza për grusht shteti apo të kërcënosh se do të ndjekësh ligjërisht zyrtarët pasi të jenë larguar nga posti, kjo sigurisht nuk është e dobishme”, ka theksuar Hand.

Sipas tij, duke vepruar kështu, kryeministri dhe zyrtarët e qeverisë nuk do të bëjnë tjetër veçse do të krijojnë më tepër mosbesim në aftësinë që kanë për të drejtuar Shqipërinë dhe kjo do të ishte për të ardhur keq.

“Pra, mendoj se në politikën shqiptare ka nevojë për shumë më pak personalizim të këtyre gjërave dhe duhet një kuptim më i mirë se këto institucione, megjithëse nuk janë të përsosura, përpiqen të bëjnë punën e tyre dhe duhen lejuar të bëjnë punën”, ka nënvizuar Hand, i cili ka dhënë të njëjtin vlerësim edhe për ndërhyrjet e kryetarit të PS, Edi Rama.

Sipas tij, përfshirja e FBI-së duhet t’i japë krejt hetimit një besueshmëri më të madhe dhe duhet të bëjë që dy partitë më të mëdha, Partia Demokratike në fuqi dhe Partia Socialiste e opozitës, të mbajnë një qëndrim më respektues ndaj krejt procesit se sa të angazhohen në retorikë.

“Përsa u përket komenteve të Edi Ramës, ai nuk është prokurori i çështjes. Ai ka të drejtë të shprehë pikëpamjen e tij por mendoj se ai duhet gjithashtu të kuptojë se të jesh në opozitë do të thotë të kesh edhe disa përgjegjësi. Ai është ende një udhëheqës politik, drejton një krah të caktuar në politikën shqiptare që ka përfaqësim në popullatën e vendit. Bashkë me këtë vjen edhe nevoja për një sjellje të përgjegjshme”, ka shtuar Hand.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA