BE: Të befasuar nga gjyqi i Metës

25/01/2012 22:35

Presidenca e BE-së deklaroi se është e befasuar nga vendimi i gjykatës së lartë për pafajësinë e ish-Zëvendës Kryeministrit, Ilir Meta. Ministri danez për çështjet europiane, Nicolai Uammen, shprehu shqetësimin për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë në Shqipëri.

“Për sa i përket Shqipërisë, unë mirëpres bashkëpunimin kohët e fundit mes qeverisë dhe opozitës për ngritjen e një komisioni parlamentar për reformën zgjedhore. Por vijojnë të mbeten shqetësime lidhur me funksionimin e shtetit të së drejtës, përfshirë vendimin mbi të ashtu-quajturën “çështja Meta”, i cili befasoi shumë prej nesh. Është thelbësore që vendi të shënojë progres në fushën e shtetit ligjor dhe të demokracisë”, tha z. Nicolai Uamen, Ministër për Çështjet Europiane në Danimarkë.

Nicolai Uamen prezantoi prioritetet e Presidencës daneze të BE-së përpara Komitetit të Jashtëm të PE, ku Shqipëria nuk do të ishte përmendur, nëse ministri danez nuk do të ishte pyetur për planet e kësaj presidence për Shqipërinë dhe disa vende të prapambetura të rajonit në rrugën e integrimit nga Eduard Kukan, Kryetar i delegacionit europarlamentar për Ballkanin.
 
Mirëfunksionimi i shtetit të së drejtës është një prej 12 prioriteteve kyce që vendi ynë duhet të plotësojë për marrjen e statusit kandidat dhe çeljen e negociatave për antarësimin në BE.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA