Kupa e Afrikës, Gana fiton me vështirësi

24/01/2012 19:40

Kombëtarja ganeze e futbollit debutoi me fitore në Kupën e Kombeve të Afrikës edhe pse nuk bindi aspak me lojën e saj ndaj një ekipi shumë më inferior si Botsvana.

Skuadra e drejtuar nga Goran Stevanovic u mjaftua me vetëm një gol të Mensah në pjesën e parë të lojës dhe mbrojti pa vështirësi rezultatin gjatë gjithë takimit, kjo falë potencialit shumë të dobët të kundërshtarit që kishte përballë.

Në minutën e 66 të pjesës së dytë, shënuesi i golit të vetëm të takimit u ndëshkua me karton të kuq pas një faulli në hyrje të zonës, por edhe pse në superioritet numerik Botsvana nuk arriti të barazonte.

Në këtë mënyrë Gana, një nga favoritët për suksesin final në Kupën e Kombeve, fiton tre pikët e para në grupin D.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi Mali ka fituar me po të njëjtin rezultat ndaj Guinesë. Goli i vetëm i takimit është shënuar në minutën e 30 nga B.Traore.

Me këto rezultate, Gana dhe Mali kryesojnë grupin D me nga tre pikë, ndërsa Botsvana dhe Guinea zënë vendet e fundit me 0 pikë.

Top Channel