“Shqip”: Shqipëria pas 21 janarit

23/01/2012 22:15

Në ditën kur Prokuroria e Përgjithshme lëshoi tre urdhëra arresti për ngjarjet e 21 janarit dhe kërkoi heqjen e imunitetit për tre deputetë socialist, “Shqipëria pas 21 janarit” ishte tema e natyrshme emisionit “Shqip”.

Nën drejtimin e Rudina Xhungës, analistët Shpëtim Nazarko, Mustafa Nano, Arjan Çani  dhe Lutfi Dervishi, argumentuan për domethënien e këtyre vendimeve dhe u përqëndruan në çështje të tjera, si presioni politik mbi drejtësinë dhe prokurorinë, roli i amerikanëve në hetime dhe ajo që mund të ndodhë pas “bombës” së ardhur me ndihmën e FBI-së.

“Mendoj se nevoja për hetime gjithpërfshirëse është shumë e rëndësishme. Ngjarjet e rënda dhe komplekse si 21 janari kërkojnë kohë në hetime, por mësimi dhe mesazhi që vjen është që drejtësia bëhet, sado ngadalë, sado pengesa ka dhe sado probleme të ketë”, ishte komenti i parë optimist i Lutfi Dervishit.

“Komenti dhe praninë e faktorit ndërkombëtar është kritikuar dhe nënvlerësuar, por fakti që në konferencë shtypi Kryeprokurorja del me Arvizun, duket qartë pesha që ka faktori mbarëkombëtar. Ne nuk kemi institucionet në kapacitetin dhe cilësinë për të kryer vetë hetimet dhe kjo është ende për të ardhur keq”, shtoi Dervishi.

Nga ana e tij, Çani shprehu keqardhje që një institucioni si Prokuroria i duhet prania e ambasadorit amerikan në krah, për t’u ndierë i mbrojtur nga presionet politike. “Mendoj se vendimi i Prokurorisë ishte diçka që pritej, që në fund të javës së kaluar, kur u mor vesh ardhja e FBI-së. Ne që jetojmë në korridoret mes gazetarisë dhe politikës e dinim që më parë kush do të arresohej. A erdhi në kohën e duhur ky vendim? Do të thoja se rastisi mirë politikisht, menjëherë pas 21 janarit”.

“Prokuroria, në pamje të parë tregohet e paanshme sepse kërkoi heqjen e imunitetit të tre deputetëve”, vazhdoi argumentimin e tij Çani. “Kush do të përfitojë politikisht nga ky debat që ka nisur, disa muaj përpara presidentit dhe një vit e pak përpara zgjedhjeve? Opozita ka përfituar deri tani, por Prokuroria futi sot elementin e përgjegjësisë se kush e ka organizuar dhe parashikoj të shohim një debat interesant. Personalisht, mendoj se loja mund të dalë 1-1. Në këto 20 vjet, beteja vjen duke u perfeksionuar. Mendoj se s’ka për të pasur të humbur e të fituar. Megjithatë, dalja e ambasadorit s’më gëzon shumë, më bën të mendoj se institucionet i kemi jo vetëm të varura, por edhe frikacake, sepse ne kemi specialistë, por s’kanë kurajo për të dalë vetë. Ky ku ne jetojmë është një vend jo fort sovran. 21 janari është një ngjarje banale në nivelin e investigimit, sepse pa dyshim që ne kemi ekspertë për të parë se nga ka ardhur plumbi”.

Nano shprehu një qëndrim të ndarë midis racionalizmit dhe shpresës, ndërsa komentoi: “Pashë që ata që presin drejtësi u ekzaltuan, me shpresën se më në fund drejtësia po arrin të fitojë. Besoj se është një gëzim i parakohshëm.  Arrestimi kryetarit të gardës, normalisht duhet të inspironte gëzim dhe unë jam midis atyre që mezi e prisja. Problemi është se çfarë do të thotë gjykata, pasi është ajo që e vendos në vend drejtësinë përfundimisht. Personalisht ngelem tejet skeptik. Prokuroria, pa ambasadorët, s’do të ishte aktivizuar. Nga ana tjetër, gjithë ky rol i ambasadorëve bëhet mbi kurrizin e dinjitetit kombëtar të vendit tonë, sa më të fortë të jenë ata, aq më të dobët jemi ne. Edhe pse në rethanat e institucioneve të dobëta që kemi, jemi me fat që të paktën ambasadorët angazhohen…. Sot, lajmi është shpallja e arrestimeve”.

Duke veçuar një detaj të rëndësishëm, Nano theksoi: “Sot pashë një kontrast shumë interesant midis deklaratës së Ina Ramës dhe zëdhënëses së Kryeministrit. Pak pasi prokurorja dha arrestimet, ka dalë zëdhënësja dhe midis të tjerash tha që Prokurorja e Përgjithshme meriton një ndëshkim dhe ka për ta marrë ndëshkimin që meriton. Pyetja ç’ne Berisha që kur Arvizu është aty bën një deklaratë të tillë, distante dhe pa lidhje, më vjen vetvetiu në mendje. Përgjigja është që ai nuk komunikon me ta, por me gjyqtarët që do të trajtojnë çështjen”.

“Këtu jam dakord dhe Berisha është një mjeshtër i komunikimit publik”, ndërhyri Çani, duke përforcuar këtë hamendësim. “Berisha është i qartë dhe sheh se çfarë do të ndodhë, kjo është politika. Sidoqoftë, ne nuk jemi në këtë studio për të thënë që nuk ka drejtësi sepse këtë e thotë kushdo në rrugë. Ne duhet të shpjegojmë përse nuk do të ketë drejtësi. Dhe unë e kam një shpjegim. Nëse për një moment, Prokuroria dhe policia do të ishin në një stad më të përparuar, po t’i shkoje gjykatës me prova të kopsitura, si do e nxirrte gjykatësi një njeri që ka vrarë? Gjykata përfiton nga dobësia e provave që i çon prokuroria”.

“Nuk është ky rasti që manipulohet me dosjen dhe provat, pasi më të kopsitura nuk mund të bëheshin”, theksoi Nazarko. “Rama precizoi vrasësin që është ky, me analizën profesionale të FBI. Ina Rama i bëri presion gjykatës. Kush ka vrarë, ndërroi tytën. Njeriu që vret në emër të ligjit, nuk ka përse të ndërrojë tytën e armës. Gjithashtu, Rama bëri një gjë të zgjuar. Akuzën e deputetëve ia kam lënë në dorë policisë së shtetit dhe asaj gjyqësore, që janë në dorën e Berishës. Është një dozë profesionalizmi dhe ironie së bashku. Edhe pse policia tha që nuk ka nevojë, unë them që po të vazhdojmë hetimin dhe thërrasim këta tre deputetë”.

Sipas Nazarkos, ndikimi i amerikanëve është i vështirë për t’u deshifruar. “Megjithatë mbrojtjen e madhe që amerikanët i kanë bërë Shqipërisë, besoj se brenda një viti ka patur dy momente që ata janë treguar të ngadalshëm, 21 janari dhe zgjedhjet e Tiranës. Në sy të të gjithëve pamë një komision që vodhi zgjedhjet pa i bërë syri terr dhe këtë ata e kuptojnë… Tema e amerikanëve është më e komplikuar seç duhet dhe qeveritë, të majta apo të djathta, janë vetmashtruar me ndihmën që mund t’i vijë nga politika… Ata nuk preferojnë të ndihmojnë qeveri të caktuara, të paktën në Europë… Vetëm se si perandori që janë, kanë mësuar nga gabimet e Perandorisë Romake. SHBA nuk vepron me përça e sundo. Nuk paguan qeveri, sepse kështu do të humbte miliarda dhe ata këtu nuk janë për të humbur para, por për të fituar. Ata kanë vendosur të përkrahin institucionet sepse kështu është më e thjeshtë dhe më pak e kushtueshme”.

Çani, e përkufizoi me fjalë të thjeshta rolin e SHBA-ve. “Amerikanët s’janë këtu për të ndihmuar të tjerët, por për të përfituar vetë. Ata janë ata që kur të lënë të gabosh të lënë, sepse duan të të kontrollojnë. Sot amerikanët, në këtë katund, është e thjeshtë, i thonë Berishës, zotëri, ke as s’ke gisht, njerëzit e tu në burg dhe i thonë Ramës, ata i futa brenda, por ti ke gisht në këtë çështje ndaj ulni kokën dhe shihni përpara ndaj gjërave që keni të rëndësishme. Unë nuk shoh ndonjë shkencë të madhe dhe të vrasim mendjen se cfarë po ndodh, jemi një vend me sovranitet të kufizuar”.

Duke iu rikthyer edhe njëherë komentimit dhunës së shpërthyer më 21 janar, analisti Mustafa Nano tha se opozita kishte programuar dhunë. Mustafa Nano: Ishte një segment i caktuar i opozitës që ushtroi dhunë, nxiti dhunë. Në protestë dhuna ishte e programuar, por jo për të hyrë në institucion pasi protestuesit nuk kanë patur armë. Mënyra se si u organizua, udhëheqësit nuk ishin në krye, një grupim i caktuar përballë policëve që ishte menduar që të ndesheshin me policët, u ndeshën me policët, të gjitha këto janë elemente që më bëjnë të mendoj se dhuna ishte e përgatitur.Por kur demostrata ishte shkrehur dhe njerëzit u shpërndanë, vriten 4 njerëz….kjo është cudia.

Duke komentuar intervistën e kryeministrit Berisha, dhënë në emisionin e Alfred Pezës, analisti Shpëtim Nazarko foli për paralelizmin mes protestës së 1998 dhe 2011.

Nazarko: U bë një paralele mes 1998 dhe 2011. Berisha dha një arsyetim kur tha se nuk ka ngjashmëri me 2011, sepse në atë kohë u vra lideri i opozitës. Berisha e dinte që asnjëri nuk e merr pushtetin me dhunë, sepse nuk e njeh Europa. Edhe opozita edhe pozita e dinë shumë mirë që kryeministria nuk thjesht godina, është koncept dhe nuk merret me dhunë.

Për Arjan Canin kur Berisha thotë, “doni të merrnin pushtetin më dhunë”, nuk është fjala për të marrë pushtetin,  por sipas tij është një provë force për për opinionin.

Mustafa Nano mendon se me vrasjet e 21 janarit 2011 është vrarë ideja e protestës:  “Njerëzit duhet të mendohen tani për të dalë në protestë, njerëzit i frikohen protestave”.

Ndërsa Lufti Dervishi vendosi theksin tek mospërsëritja e dhunës. Sipas tij në zhvillimet e fundit ka një topitje të madhe që ka vendosur në pikëpyetje të madhe gjithë integritetin e sistemit politik dhe institucional në vend. “Me dhunë nuk shkon gjëkundi, demokracia është forca e ideve”, deklaroi Dervishi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA