Nga Leonard Boduri – Modeli ekonomik shqiptar i bazuar në lirinë ekonomike, taksat e ulëta, qeverinë e vogël, përmirësimin e klimës së biznesit dhe zhdukjen e pengesave burokratike konsiderohet kudo si një model suksesi. Ky model konkurrues në arenën ekonomike botërore është në përputhje të plotë me prirjet e reja, parashikimet dhe vizionet progresiste të zhvillimit ekonomik, duke kontribuar në shndërrimin e Shqipërisë në një vend të begatë. Modeli liberal ekonomik, i ndjekur nga qeveria shqiptare është në sintoni të plotë me drejtimet themelore që duhet të marrin ekonomitë e vendeve në situatën aktuale, të përqendruara në energjinë e rinovueshme dhe zhvillimin teknologjik. Mirëpo, padrejtësisht, duke konsideruar korrupsionin si origjinën e të gjitha të këqijave të një vendi të lirë, pretendohet se vetëm lufta e përhershme kundër kësaj dukurie mund të konsolidojë të drejtat e njeriut, mund të luftojë varfërinë dhe të përmirësojë klimën e biznesit. Ndërkaq, pretendohet gjithashtu se, vendosja e transparencës në sektorin publik përmes procedurave dixhitale përbën një nga mjetet më efikase kundër korrupsionit.
Duke marrë në analizë suksesin e modelit të ekonomisë shqiptare, të bazuar mbi lirinë, nuk mund të përjashtojmë lirinë për të kuptuar “lirinë” në mënyrë unike dhe origjinale. Në këndvështrimin tonë alla-shqiptar, liria për pranuar konceptet në mënyrë unike na lejon të besojmë se perceptimi i korrupsionit nuk ka të bëjë me gatishmërinë e njerëzve për të përdorur pushtetin e tyre për të kryer veprime të pandershme apo të paligjshme në shkëmbim të parave ose të favoreve, por ka të bëjë me një proces të natyrshëm që tenton në këndvështrimin afatgjatë të shkojë drejt ekuilibrit. Zhvillimi nën velin e korrupsionit “të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, duke stimuluar mbajtjen e dy bilanceve të shpenzimeve të partive politike gjatë fushatave elektorale, tregon qartë që korrupsioni i shprehur në fshehjen e fondeve të pakufizuara nga burime të dyshimta mafioze mund t’i shërbejë më së miri funksionimit të demokracisë.
Ndërkohë, shpenzimet e luksit që kryejnë partitë politike për të mirën e popullit, duke paguar një numër të madh ahengxhinjsh, pronarë autobusësh që transportojnë mitingashët, një numër të madh studiosh që kryejnë shërbime të ndryshme për të krijuar një imazh sa më popullor; nuk bëjnë gjë tjetër veçse krijojnë një numër të madh vendesh të reja pune dhe gjenerojnë të ardhura për bizneset shqiptare dhe meqenëse pagesat për shërbimet elektorale paguhen “në të zezë”, lehtësohet barra e bizneseve në drejtim të detyrimeve tatimore. Nuk mund të lëmë pa përmendur këtu pagesat “cash”, për çdo votë të hedhur në kuti dhe të garantuar me anë të përdorimit të teknologjisë më të lartë të aparateve të pajisur me kamera, si dhe “pagesat në natyrë”, nën furtunën e përqafimeve dhe puthjeve elektorale, që kanë të bëjnë me shpërndarjen e thasëve me miell, frigoriferëve, lavatriçeve dhe produkteve të tjera për klasën e mjerë të shoqërisë. Shprehim keqardhjen që do të lëmë pa përmendur mijëra “të mira” të tjera të dukurisë së korrupsionit në origjinën e sundimit të tij në vend. Imponimi i dukurisë së korrupsionit në të gjitha aspektet e ambientit shqiptar i ngjan marrjes së peshqesheve të shtrenjta, me të cilat mendjemadhësia e atij që i bën na poshtëron.
Ndërkohë që siç e argumentuam më sipër, marrja në dorë e pushtetit është një punë që kërkon shpenzime të mëdha, është normale që menjëherë pas marrjes së tij vlerat monetare të investuara në aksionet e bursave të partive politike të kthehen nëpërmjet dhënies së koncesioneve të formave nga më të ndryshme. Disa nga “sponsorët” në anën e fitimtarëve gëzojnë të drejta në menaxhimin dixhital të tenderëve publikë, përparësi në privatizimet me rëndësi strategjike, lehtësi në krijimin e monopoleve të reja në tregun vendas si dhe leje për shitjen e vendeve të punës në sektorin publik sipas të ardhurave që ato gjenerojnë. Blerësit e rinj të vendeve të punës, të detyruar të shlyejnë sa më shpejt kostot e blerjes së vendit të punës, fitojnë shpejt talentin e mashtrimit financiar në dëm të qytetarëve të zakonshëm. Përfituesit në fund të piramidës së korrupsionit shtetëror nuk mund t’i shmangen dhënies së ryshfetit në rastet e përfitimit të shërbimeve në sektorin shëndetësor apo kur duhet të blejnë ndonjë diplomë universitare, për të plotësuar kriteret absurde që mund të kërkojnë disa vende të caktuara pune në sektorin publik. Siç e shohim më sipër, makineria e korrupsionit funksionon për bukuri dhe ofron përfitime për të gjithë qytetarët e vendit.
Nuk mund të lëmë pa përmendur “Olimpin” e korrupsionit në vend, që mbahet nga sistemi gjyqësor, në të gjitha shkallët. Ai është vendi ku rekomandimet e firmosura nga guvernatorët e bankave qendrore prevalojnë mbi të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore që përcaktojnë funksionimin e shtetit ligjor. Në një farë mënyre, sistemi gjyqësor bën detyrën, sipas rregullave të lojës, mbi zyrtarët e akuzuar për korrupsion duke iu lehtësuar këtyre të fundit xhepat nga të ardhurat e mëdha, nëpërmjet vendimeve gjyqësore shpesh unanime. Shtrirja e dukurisë dhe ndikimi i saj në çdo arterie të shoqërisë shqiptare e bën marrjen me politikë “sportin” më të preferuar në vend. Rrethi vicioz që nis me uzurpimin financiar të partive politike, vijon me pushtimin e tregut sipas modelit oligopolistik si dhe me kontrollin e tregut të punës. Ndërkohë pasurimi nëpërmjet biznesit të politikës siguron të ardhura të mjaftueshme që garantojnë mbajtjen e pushtetit nëpërmjet zgjedhjeve “të lira dhe të ndershme” në vazhdimësi. Dukuria që ndihmon për të qenë pjesë e përfitimit të një qeverie që ndjek interesat e veta, të partisë së vet dhe të militantëve të paaftë profesionalisht justifikohet me të mirat që ofron për të gjithë qytetarët e vendit. Suksesi i modelit liberal të ekonomisë shqiptare i bazuar në konceptin e “lirisë sipas nesh”, i detyrohet vlerave të padiskutueshme të korrupsionit. Në rastin e modelit shqiptar korrupsioni është sistemi, ndërsa drejtësia është “virusi” që duhet luftuar pa kompromis…
Top Channel