Deputeti Dritan Prifti i është drejtuar me një letër Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me disa shqetësime personale të tij.
Ai ka marrë shkas nga një shkrim i gazetës zyrtare të Partisë Demokratike duke thënë se gjithcka është e pavërtetë.
Ndërsa konfirmon se i ka dërguar letër kryeprokurores ku ka shprehur shqetësimin për sigurinë e tij personale për shkak se ka marrë kërcënime me telefonata dhe sms për dënimin e tij me vdekje. Prifti thotë se ka kërkuar nga prokuroria hetimin e këtyre kërcënimeve.
Ndërkohë, edhe Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar me anë të një deklarate ku thuhet se: “duke marrë shkas nga elementët denigrues dhe të pavërtetë që janë shprehur në këtë media, Prokuroria e Përgjithshme bën me dije se deputeti Dritan Prifti i ka dërguar një letër Prokurorit të Përgjithshëm, por përmbajtja e saj është tërësisht e ndryshme nga ajo çfarë thuhet në këtë gazetë”.
Kjo letër është trajtuar zyrtarisht e është protokolluar sapo ka ardhur në Zyrën e Protokollit në Prokurorinë e Përgjithshme, dhe si dokument është e do të mbetet në arkivën e këtij institucioni.
Me këtë rast, Prokuroria e Përgjithshme shprehet se është e vendosur të kryejë detyrën e saj kushtetuese pavarësisht insinuatave të ndryshme që synojnë të devijojnë angazhimin e prokurorëve dhe punonjësve të prokurorisë në hetimin e çështjeve që janë dhe në fokus të vëmendjes së opinionit publik.
Letra e Priftit vjen një ditë pasi prokuroria vendosi të hetojë rrjedhjen e videos së transmetuar të enjten në mbrëmje në emisionin “Opinion”.
Top Channel