Iker Casillas, 600 ndeshje me Real Madrid

20/01/2012 20:25

Iker Casillas, portieri dhe kapiteni i Real Madrid, do të luajë ndeshjen e tij të 600 zyrtare me madrilenët ndaj Athletic Bilbao, të dielën në Santiago Bernabeu. Spanjolli do t’i afrohet në këtë mënyrë rekordit të Fernando Hierro, ish-kapitenit legjendar të Los Blancos, i cili ka luajtur 601 ndeshje zyrtare me Real gjatë karrierës së tij dhe mban vendin e pestë në renditje për ndeshje të luajtura.

Shifrën 600 Casillas do ta arrijë pikërisht ndaj ekipit ndaj të cilit ka debutuar në sezonin 1999-2000, 13 sezone më parë.

Më sipër në renditjen e lojtarëve me më shumë ndeshje zyrtare me fanellën e Real Madrid gjejmë Francisco Gento (602), Carlos Santillana (645), Manolo Sanchis (709) dhe Raul Gonzalez (741).

Iker Casillas, portieri që ka fituar “Euro 2008” dhe botërorin “Afrika e Jugut 2010” si kapiten i Spanjës, ka zhvilluar me Real Madrid 438 ndeshje kampionati, 118 ndeshje në Ligën e Kampioneve, 29 në Kupën e Mbretit, 9 në Superkupën e Spanjës, 3 në Botërorin e Klubeve dhe 2 në Superkupën e Europës.

Në moshën 31-vjeçare, portieri ka ende shumë kohë për të thyer të gjitha rekordet që ka përpara. Gëzon një formë shumë të mirë dhe kohët e fundit është përzgjedhur si portieri më i mirë nga IFFHS dhe si gardiani i portës në formacionin më të mirë të uefa.com.

Top Channel