Vendimi i ministrit i Financave për të mos shpërblyer asnjë qindarkë pensionistët me pretekstin e krizës, duket tepër absurd dhe qesharak, kur mëson se me paratë e taksapaguesve shqiptarë paguhen faturat e kripura të zyrtarëve të shtetit, anëtarë të bordeve drejtuese dhe këshillave mbikëqyrës.
Sipas Institutit të Statistikave, në vend numërohen mbi 700 shoqëri tregtare shtetërore të cilat me ligj duhet të kenë një bord drejtues apo këshill mbikëqyrës.
Llogaritjet e përafërta nxjerrin një faturë, të paktën 12 milionë euro në vit, që arka e buxhetit nxjerr për të paguar punën e anëtarëve, të cilët e kanë si funksion part-time, për shkak se kryesisht vijnë nga poste zv/ministrash, drejtorë dhe sekretarë në ministri, me paga mujore mbi 1 mijë euro.
Sipas gazetës “Shqip”, funksioni i bordit apo këshillit është i përcaktuar me ligj dhe shërben thjesht si mbikëqyrës për punën që kryen institucioni, por në shumicën e rasteve anëtarët nuk kanë lidhje me objektin, pasi janë thjesht të emëruar mbi baza politike dhe konjukturash.
Çdo shoqëri, ku shteti zotëron shumicë aksionesh, ka të instaluar një bord, me të paktën 7 anëtarë, por kryesisht numri shkon në 9 -11, kurse pagat variojnë, por nuk arrijnë më poshtë se 180 euro në muaj.
Zyrtarët që janë anëtarë në disa borde njëherësh konsiderohen pa frikë fatlumë, pasi paga mujore arrin deri në 2500 euro, shumë më tepër nga sa merr Kryeministri apo ministrat, të cilët nuk kanë mundësi ligjore të janë në këshilla.
Privilegjet më të mëdha i marrin zv/ministrat, këshilltarët e ministrave, Kryeministrit si dhe sekretarët e përgjithshëm në ministri, por nuk mbeten pas edhe drejtorët e përgjithshëm me poste në ministri.
Veçojmë sekretarin e ministrit të Financave, Dorian Teliti, dy zv/ministrave, Alfred Rushaj dhe Nezir Haldeda, apo të këshilltares së kryeministrit, Ariana Çela, të cilët janë të pozicionuar në disa borde, sikurse dhe zyrtarë të tjerë nga Ministria e Transporteve, të ardhurat mujore të të cilëve shkojnë shumë më tepër se të vet Presidentit apo Kryeministrit.
Luksi i tepërt në kohë krize dhe masat gjoja shtrënguese të ministrit Bode, duke mos paguar në kohë firmat private, duke ulur pagesat për ndihmën ekonomike për njësitë vendore, apo anulimi i shpërblimit për pensionistët, bien ndesh me parimin “qeveri në dietë”, kur nga ana tjetër kemi ligjin që nuk kufizon numrin e të qenit anëtar bordi njëherësh. Përjashtim bëjnë vetëm deputetët, të cilët kanë të drejtë të jenë anëtarë në universitete apo OJF.
Mjafton të shikosh gjendjen drejt falimentit dhe me borxhe të shumë ndërmarrjeve shtetërore, të cilat shpallin kolapsin vit pas viti, duke u katandisur në objekte pa vlerë dhe që më pas i falen privatit me gjoja ankande. INSIG, KESH, OST, Drejtoria e Ujësjellësit, “Albpetrol”, portet etj., paraqesin një menaxhim të dobët dhe janë në borxhe, duke treguar qartë se anëtarët e bordeve që paguhen me taksat e shqiptarëve nuk kanë dhënë asnjë ndikim në zhvillimin e pronës publike, por vetëm përfitim individual.
Raportet e ndryshme tregojnë se anëtarët e bordeve nuk kanë lidhje me postin dhe janë të pozicionuar njëherësh në disa shoqëri, kurse rezultatet e hetimeve të ndryshme tregojnë një mungesë efiçence në punën e tyre. Anëtarët e bordeve nuk kanë lidhje me postin dhe janë të pozicionuar njëherësh në disa shoqëri
Ndërmarrjet
Sipas Institutit të Statistikave, në vend numërohen mbi 700 shoqëri tregtare shtetërore, të cilat me ligj duhet të kenë një bord drejtues apo këshill mbikëqyrës
Shpenzimet
Llogaritjet e përafërta nxjerrin një faturë, të paktën 12 milionë euro në vit, që arka e buxhetit nxjerr për të paguar punën e anëtarëve, të cilët e kanë si funksion part-time
Privilegji
Privilegjet më të mëdha i marrin zv/ministrat, këshilltarët e ministrave, kryeministrit si dhe sekretarët e përgjithshëm në ministri, por nuk mbeten pas edhe drejtorët
Paga
Çdo shoqëri, ku shteti zotëron shumicë aksionesh ka të instaluar një bord, me të paktën 7 anëtarë, kurse pagat variojnë, por arrijnë më poshtë se 180 euro në muaj
Përjashtohen deputetët
Të jesh anëtar i një bordi drejtues apo i këshillit mbikëqyrës është një privilegj i madh, pasi përfiton të ardhura nga paga, shpërblimi apo dieta, të caktuara po nga vet zyrtari i caktuar në këtë post.
Përjashtim nga kjo e mirë bëjnë vetëm deputetët, të cilët nuk kanë të drejtë të jenë anëtarë bordesh apo këshillash, por me ligj mund të pozicionohen vetëm si anëtarë në universitete apo në OJF.
Top Channel