Qeveria, fonde shkollave private

19/01/2012 08:35

Këshilli i Ministrave ka vendosur të përdorë paratë e tatimpaguesve shqiptarë për të financuar bursa studimi për nxënësit e një shkolle profesionale në Shkodër, pa kryer ndonjë proces gare kualifikuese më parë. Lajmi bëhet i ditur nga një vendim i publikuar në Fletoren Zyrtare.

Shkolla “Peter Mahringer”, me bazë në Shkodër, është ndërtuar disa vite më parë me një fond fillestar të ofruar falas nga qeveria e Austrisë dhe funksionon si organizatë jofitimprurëse.

Sipas faqes së saj në internet, është një shkollë austriake me bazë arsimin e përgjithshëm dhe me përqendrim te fusha e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Qeveria vendosi të japë 84 bursa nga 680 euro secila, ndihmë kjo e vlefshme për vitin shkollor 2011-2012. Kjo është e barabartë me 57 800 euro. Vendimi u mor më 11 nëntorin e kaluar, por u publikua vetëm pak ditë më parë në Fletoren Zyrtare.

Ndërkohë, një kërkim në databazën ligjore tregon se qeveria ka dhënë ndihmë financiare për këtë shkollë edhe për vitin arsimor 2009-2010, kur u financuan bursat e 42 nxënësve. Nxënësit që përfitojnë bursë përcaktohen nga vetë shkolla.  

Pa tender

Nga vendimi nuk bëhet e qartë se mbi çfarë baze ligjore qeveria i jep të drejtë vetes të përdorë paratë publike për të financuar një shkollë private dhe nuk bëhet gjithashtu e qartë nëse ka pasur ndonjë lloj konkursi mes shkollave të shumta fillore e të mesme, të cilat funksionojnë si biznese private apo si organizata jofitimprurëse.

Gjatë viteve të fundit, qeveria ka filluar ta përdorë buxhetin e shtetit si një thesar privat nga ku nxjerr para, copa toke në shitje pa ankand e me çmim minimal apo pasuri të tjera publike, pa pasur ndonjë bazë të fortë ligjore.

Ndonëse financimi i çdo shkolle me drejtim nga shkencat ekzakte është i mirëpritur në një vend me prapambetje të theksuar në këtë drejtim, në Shqipëri ka shumë institucione që ofrojnë këto shërbime dhe financimi i vetëm njërit prej tyre duket se është realizuar përmes lobingut dhe jo përmes garës.  

Shteti i privatit

Qeveria shqiptare miratoi vetëm pak javë më parë, një ligj tjetër, përmes së cilit synon të financojë universitetet private, një masë kjo në dukje e panevojshme duke parë volumin e madh të biznesit në këto universitete si dhe cilësinë e tyre të dyshimtë.

Por problemi më i madh nuk duket se është gatishmëria për të kanalizuar fondet publike në duart private, por edhe në formulën e përzgjedhur për ndarjen e këtyre fondeve.

Formula i jep mundësi qeverisë të përcaktojë në bazë të disa kritereve se cili nga universitetet do të marrë sa, ndërkohë që nëpër vendet e tjera, ndihma shtetërore për arsimin i caktohet studentëve, të cilët mund të zgjedhin universitetin ku do ta shpenzojë bonusin.  

Tregu i shkollave private

Xhiroja e përgjithshme e universiteteve private vlerësohet se mund të arrijë në 50 milionë euro në vit, bazuar kjo në numrin e studentëve të regjistruar në këto universitete si dhe tarifat e deklaruara vjetore të shkollimit.

Por bilancet e tyre fiskale të dorëzuara në tatime flasin për xhiro shumë më të ulët. Tarifa mesatare e paguar nga studentët për universitete të veçanta rezulton më pak se 400 euro në vit, ndërkohë që për dhjetë universitetet kryesore rezulton rreth 800 euro.

Këto shifra nënkuptojnë një evazion fiskal në shkallë të gjerë, pa folur këtu për dhënien e diplomave pa ndjekur studimet, veprime këto shumë të përhapura nëpër disa universitete private, por për të cilat qeveria nuk ka menduar kurrë të kryejë ndonjë kontroll.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA