Monika Lubonja: Vij me një karakter ndryshe

18/01/2012 00:00

Është hera e parë e saj që interpreton në një serial televiziv. Aktorja e
njohur Monika Lubonja sjell një karakter të veçantë dhe aktual.

Lubonja është Kizi, gruaja me para, e pushtetshme e biznesmenit Bastri Banushi. Sipas saj, seriali “Në kërkim të kujt!!!” është një film që ka brenda një dhimbje të madhe, ku publiku do ta gjejë më së miri veten.

Monika, si ishte bashkëpunimi juaj me Gjergj Xhuvanin në serialin artistik “Në kërkim të kujt!!!”?

Ke shumë dëshirë të punosh me një regjisor që është shumë i talentuar. Çdo aktori i lind dëshira të ketë një bashkëpunim të tillë, qoftë i shprehur apo jo. Për mua ishte fat që realizova një film me të madhin Gjergj Xhuvanin. Kisha kohë që prisja që ai të më thërriste në ekipin e vet, duke menduar që jam një aktore që i përshtatem filmit dhe nuk ka pse të mos jem e pranishme në kinemanë shqiptare. Takimi me Gjergjin ishte krejt rastësisht. Një pasdite me mikeshën time, takoj Gjergjin dhe më thotë që të kam në mendje për një film. Nuk di ta përshkruaj kënaqësinë që ndjeva në atë çast. Për një muaj isha me ankthin se kur do të më thërriste, pasi në imagjinatën e regjisorit mund të lindin figura të reja dhe roli hidhet poshtë. Unë nuk doja që regjisorit t’i ikte imagjinata ndaj paraqitjes sime momentale për filmin. Pas ca kohësh erdhi momenti dhe më dhanë rolin. Ka qenë një punë fantastike, një film që e kujtoj me nostalgji. Do të doja të xhiroja përsëri me Gjergjin me Çimin, Margaritën, Nikon, Gentin dhe të tjerët. Kur punon me njerëz me botë, intelektualë, qytetarë, nuk ka gjë më të bukur, një punë e përsosur nga ana shpirtërore, larg mediokritetit.

Cili është roli juaj në gamën e gjerë të karaktereve që ka filmi?

Personazhi im quhet Kizi. Është një grua që ka para, një të ardhme të mirë nga ana financiare dhe e pushtetshme. Kizi është gruaja e Bastriut (Ndriçim Xhepa), një biznesmeni që pasurohej në mënyrë abuzive dhe njëkohësisht edhe dashnorja e Sotiraqit (Gentian Hazizi), menaxheri i firmës së burrit të Kizit. Nuk kam për ta harruar këtë emër, pasi në Tiranë ka qenë një personazh shumë famëkeq që e thërrisnin Kizi, në qoftë se nuk vishej mirë. Kam bërë luftë për këtë emër, pasi gjithë kjo figurë, gruaja e Bastriut, nuk mund të kishte një emër të tillë. Më vonë kuptova që Gjergji kishte plotësisht të drejtë në bërthamën dhe karakterin që i kishte vënë Kizit.

Si jeni ndier gjatë xhirimeve, pasi është hera juaj e parë që luani në një serial.

Është hera e parë që luaj në një serial, por edhe pse serialet të bëjnë më popullorë, unë dua të ngelem tek aktoret e teatrit dhe filmit artistik. Por kur ke një staf të mrekullueshëm, me një regjisor brilant, do të dëshiroja të isha non stop e pranishme në filma të tillë, pasi edhe produkti është më cilësor.

Në këtë film ju keni luajtur në krah të aktorëve të mëdhenj të kinematografisë shqiptare.

Po, është e vërtetë që në film ka një plejadë aktorësh, që nga brezi i tretë e deri te të rinjtë fare. Kur je në krah të gjigantëve duhet të bësh të pamundurën për të qenë në lartësinë e duhur. Kam fatin të luaj në krah me Ndriçim Xhepën, i cili është burri im për të disatën herë në film, ashtu siç kam fatin të luaj me Margarita Xhepën, Niko Kanxherin, Reshat Arbanën, Gent Hazizin etj. Këtë bashkëpunim nuk mund ta sillte më bukur dikush tjetër përveç Gjergj Xhuvanit. Jam e sigurt që edhe publiku do të ndiejë një film shumë të ngrohtë me temat e ditës. Një film që flet për një dhimbje të madhe, siç ishin fajdet. Do të ishte gjynah që ky fenomen mos të vihej në dukje asgjëkund, pasi la gjurmë të thella në shoqërinë tonë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA