Londër 2012, Beckham dhe Giggs në listën paraprake

18/01/2012 09:30

David Beckham dhe Ryan Giggs janë dy nga 184 futbollistët që kanë pranuar mundësinë për të luajtur me përfaqësuesen e Britanisë së Madhe në Lojërat Olimpike që do të zhvillohen në Londër këtë verë.

Komiteti Olimpik njeh zyrtarisht Britaninë e Madhe dhe kjo do të thotë se anglezët, skocezët dhe uellsianët duhet të përfaqësohen bashkë në lojërat olimpike. Për tu njohur me gadishmërinë e tyre, Federata Angleze e Futbollit u ka dërguar një letër 191 lojtarëve nga këto tre vende që mund të përzgjidhen për këtë turne dhe vetëm 7 prej tyre kanë refuzuar.

Ryan Giggs (Uells) dhe David Beckham (Angli) kanë pranuar dhe shpresojnë që të përzgjidhen për “Londër 2012”. Ekipet olimpike të futbollit përbëhen nga futbollistë nën moshën 23-vjeçare, por lejohet që tre lojtarë të jenë sipër kësaj moshe dhe veteranët e famshëm shpresojnë që të jenë dy prej këtyre futbollistëve.

Beckham dhe Giggs kanë luajtur për shumë vite sëbashku tek Manchester United në krahun e djathtë dhe të majtë të mesfushës respektivisht duke fituar të gjitha trofetë e mundshme.

Futbolli olimpik do të fillojë më 26 korrik dhe finalja do të zhvillohet në stadiumin Uembli më 11 gusht.

Top Channel