Të mërkurën paradite Komisioni i Ligjeve do të nisë procedurën për shkarkimin e nënkryetarit të Këshillit të lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu.
Kreu demokrat i ligjeve, Ilir Rusmali, i cili thirri mbledhjen e komisionit dy ditë pasi kërkesa e deputetëve të mazhorancës u bë e njohur nga kryeministri Sali Berisha, ka vënë në dijeni për nisjen e procedurës edhe zotin Spahiu, sepse kjo është një kërkesë e rregullores së Kuvendit, që detyron të dëgjojë anëtarin e një organi kushtetues për të cilin kërkohet shkarkimi, të dëgjohet para komisionit, përpara se ai t’i dërgojë parlamentit raportin për ngritjen ose jo të komisionit hetimor.
Sipas kërkesës së demokratëve, komisioni hetimor do të ketë tre javë kohë për të verifikuar shkeljet e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në ushtrimin e detyrës së tij.
Në kërkesën e tyre, deputetët e mazhorancës thonë se diskretitimi i figurës së nënkryetarit të KLD-së dhe dhunimi i pavarësisë së këtij institucioni nga zoti Spahiu është e thjeshtë për t’u verifikuar ligjërisht. Në rreshtimin e argumentave të tyre demokratët thonë se Kreshnik Spahiu ka devijuar nga funksioni kushtetues dhe e ka zëvendësuar atë me veprimtari politike të papajtueshme me detyrën, duke mos përfaqësuar interesat në funksionin të drejtësisë e Kuvendit të Shqipërisë, organ nga i cili është zgjedhur.
Kjo gjë për demokratët është anti-kushtetuese, ashtu sic është edhe abuzimi në mënyrë flagrante , që sipas tyre ka bërë Kreshnik Spahiu, me kompetencat që i jep Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe ushtrimin e tyre si presion ndaj gjyqësorit në favor të platformave të caktuara politike.
Gjithashtu, deputetë demokratë kanë si argument kundër Kreshnik Spahiut edhe largimin e tij me misione afatgjata dhe në mënyrë të përsëritur, në funksion të axhendës politike, sic thonë demokratët, pa leje të autoriteteve eprore sipas ligjit, gjë që ka dëmtuar rëndë veprimtarinë e institucionit.
Ajo që është më e rëndësishme për nismëtarët e shkarkimit të zotit Spahiu nga detyra e anëtarit të KLD-së, është se ai, sipas mazhorancës, ka kryer publikisht veprime dhe sjellje në kundërshtim flagrant me statusin dhe detyrimet e një zyrtari të lartë kushtetues.
Duke cituar një vendim të Gjykatës Kushtetuese, demokratët thonë se detyrimi i vetëm kushtetues i anëtarit të zgjedhur nga Kuvendi në KLD është përcjellja e frymës së organit legjislativ në KLD, ndërsa sipas tyre, zoti Spahiu i është kundërvënë në mënyrë flagrante qendrimit zyrtar të shtetit shqiptar, duke detyruar Kuvendin të kërkojë shkarkimin e tij nga detyra.
Nuk dihet nëse zoti Spahiu do të paraqitet apo jo në Komisionin e Ligjeve.
Top Channel