Këpucë të Arta për Leo Messi

16/01/2012 12:20

Këpucë të arta për tre herë fituesin e Topit të Artë. Firma Adidas ka krijuar një palë këpucë futbolli vetëm për argjentinasin Leo Messi të mbuluara me ar dhe ku janë shënuar vitet kur futbollisti ka marrë çmimin më të madh individual në futboll (2009, 2010, 2011).

Këto këpucë përmbajnë shkronjën M dhe shkrimin “Fifa Ballon d’Or Player of the Year” si dhe “Gracias a todos” (Faleminderit të gjithëve)

Këto këpucë janë inauguruar në ndeshjen e së dielës ndaj Betis, ku katalanasit fituan 4-2 dhe dy nga golat u shënuan pikërisht nga Messi.

Vetëm pak ditë më parë, Messi deklaroi në një intervistë për ‘France Football’ se do të hiqte dorë me kënaqësi nga dy Topat e Artë të ardhshëm për të fituar atë të vitit 2014 sepse kjo gjë do të thonte se Argjentina do të ishte kampione bote në Brazil.

“Të fitoj Topin e Artë të viti 2014 do të ishte maksimumi. Kjo do të thonte se Argjentina ka fituar botërorin. Jam i gatshëm të heq dorë nga Topi i Artë në dy vitet e ardhshme për të qenë kampion bote”, deklaroi sulmuesi argjentinas i cili ka fituar tre edicionet e fundit të çmimit më të madh individual në futboll.

Futbollisti i Barcelonës u shpreh se fitimi i Topit të Artë i vitit 2012 do të jetë shumë i vështirë për të dhe për të gjithë lojtarët e tjerë jo europianë për faktin se në këtë vit do të zhvillohet “Euro 2012”.

“Kampionati europian është një turne i rëndësishëm dhe ka shumë mundësi që Topi i Artë t’i jepet një lojtari europian. Nëse Franca paraqitet mirë, mund ta fitojë Benzema; nëse Anglia paraqitet mirë mund ta fitojë Rooney; nëse Portugalia paraqitet mirë mund ta fitojë Cristiano Ronaldo. Nuk duhen përjashtuar as italianët, por unë do doja ta fitonte një nga spanjollët e Barcelonës”, shton Messi.
 

FOTO GALERI
2/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA