Horner: Vettel mund të arrijë Schumi-n

16/01/2012 14:15

Viti 2012 do e shohë sërish kampionin Sebastian Vettel si favorit për fitimin e titullit kampion në Formula 1. Edhe pse piloti gjerman ka fituar titullin në dy vitet e fundit, Chris Horner është i bindur se Vettel mund të përmirësohet edhe më shumë.

“Ende nuk e keni parë më të mirën që mund të bëjë Vettel. Është e vështirë të thuhet nëse mund të thyejë rekordin e Schumacher me 7 tituj botërorë, por Sebastian ka një karrierë të gjatë përpara dhe mund të qëndrojë në majat e këtij sporti për shumë vite”, është shprehur Horner, shefi i skuderisë Red Bull.

Horner ka shpjeguar edhe sekretin e Vettel: “Teknikisht është një pilot shumë i mirë, fizikisht është aty ku duhet dhe është shumë i zgjuar, pa përmendur talentin e tij të lindur për garat. Për momentin është piloti për tu mundur nga të gjithë. Kjo i shton presion, por mendoj se me dy kampionate të fituara është forcuar shumë edhe psikologjikisht.”

“Vettel është vetëm 24 vjeç dhe është ende duke mësuar. Ka një pasion të madh për Formulën 1 dhe i pëlqen profesioni i tij”, ka shtuar Horner.

Duke marrë për bazë fjalët e Horner parashikohen kohë të vështira për Fernando Alonso, Lewis Hamilton, Jenson Button apo Mark Webber.

Top Channel