Berlusconi: Pato, asnjëherë pranë largimit

15/01/2012 11:45

Në prag të derbit të “San Siro”-s, presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, komentoi gjerësisht rëndësinë e përballjes me Interin, në të njëjtën kohë që iu rikthye çështje Pato.

“Ai zgjodhi të qëndrojë dhe për këtë jemi të gjithë të lumtur. Raporte të ftohta? Kjo është qesharake. Kemi një respekt të madh reciprok midis nesh. Ndonjëherë qëndron në stol, por në futbollin e sotëm, nuk ka njeri që mund të luajë 50 ndeshje pa pushim.

Sidoqoftë, unë asnjëherë nuk kisha menduar që të hiqja dorë prej tij dhe asnjëherë nuk kam kërkuar që ta shes. Operacioni me Paris SG nuk më ka mbushur mendjen as nga pikëpamja teknike dhe as nga ajo ekonomike. Tevez, nëse do të kishte ardhur, do të kishte zënë vendin e lënë bosh përkohësisht nga Cassano”.

Përsa i përket ndeshjes derbi, 74-vjeçari u shpreh: “Nuk di të them nëse kemi më pak ose më shumë për të humbur se sa Interi. Rëndësia e kësaj ndeshje është e ngjashme me atë të vitit të shkuar, kur mund të rrisnim diferencën apo të kalonim në vend të dytë në rast humbje. Megjithatë, nëse nuk fitojmë, Interi mund të rikthehet në luftë për titull”.

Në deklaratën e publikuar të dielë në “La Gazzetta dello Sport”, Galliani gjithashtu përqendrohej tek derbi. “Do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme ndaj një kundërshtari shumë të fortë. Rinovimi i Alegrit? Ju kujtoj se kam thënë që në fillim që kishte talentin e duhur për të bërë mirë. Ai e meritoi këtë kontratë, pasi ka bërë një punë të shkëlqyer”.

Top Channel