Ministri i Inovacionit, Genc Pollo ka bërë në një konferencë për shtyp bilancin e punës së dikasterit të tij për vitin 2011.
Gjatë takimit me mediat, Pollo ka deklaruar se gjatë vitit që lamë pas janë realizuar një sërë projektesh që sipas tij kanë reduktuar cmimet dhe kanë rritur konkurrencën në tregun e telefonisë së lëvizshme.
“Kemi konkurrencë të qendrueshme dhe solide në tregun e telefonisë së lëvizshme. Kemi cmime të përballueshme për qytetarin, cilatdo qofshin të ardhurat e tij. Ulja e ndjeshme e cmimeve është mënyra më e mirë për të afruar shqiptarët me tregun”, ka deklaruar Pollo.
Një tjetër projekt i Ministrisë së Inovacionit është edhe shërbimi 3G, i cili sipas zotit Pollo do të ofrojë shërbimin e internetit edhe nga kompani të tjera.
“Përmes shërbimit 3G ofrohet shërbimi i internetit në celular jo vetëm nga Vodafone dhe AMC, por edhe nga një kompani e tretë e me radhë. Kushdo mund të informohet”, ka nënvizuar Pollo.
Gjithashtu, sipas Pollos, Ministria e Inovacionit ka zgjeruar hartën e përdorimit të internetit, duke i ofruar kujtdo mundësi që të ketë akses në të.
“Kemi ofruar internet falas, në mënyrë që kushdo të ketë akses dhe ta përdorë atë. Këtë vit projekti është trefishimi i shifrave”, ka bërë të ditur Pollo.
“Gjithashtu, do të dixhitalizohen shërbimet, do punojmë për të mbrojtur konsumatorin, të nxisim konkurrencën, etj”, ka shtuar ministri i Inovacionit.
Top Channel