“Ethet” e Milan-Inter

14/01/2012 16:00

Një ditë pas rinovimit të kontratës, trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri kthehet të komentojë ndeshjen ndaj Interit, që do të luhet mbrëmjen e së dielës në San Siro.

Tekniku kuqezi tha për mediat italiane se derbi me Interin mund të rezultojë një ndeshje kyçe për ecurinë e kampionatit.

“Është një derbi që mund të jetë vendimtar për kampionatin, një derbi shumë, shumë i rëndësishëm, i ngjashëm me atë të fazës së dytë të vitit të kaluar. Por tani diferenca në pikë mes dy skuadrave është disi më e madhe dhe Interi do kërkojë fitoren për t’u futur në garën për titullin kampion”, tha Allegri.

Edhe trajneri i Interit, Claudio Ranieri vlerësoi rëndësinë e ndeshjes ndaj Milanit. Për teknikun zikaltër, fitorja është e domosdoshme për t’u futur në garën për titull.

“Ndeshjet derbi kanë një rëndësi të vecantë, shpesh dalin nga konteksti i kampionatit. Janë ndeshje të ndjeshme për tifozët, opinionin publik, lojtarët dhe trajnerët. Kemi përgatitur këtë ndeshje duke punuar fort, si gjithmonë dhe duhet të fitojmë për t’u futur në garën për titull”, tha Ranieri.

Interistët duhet të bëjnë në këtë ndeshje pa mesfushorin serb, Dejan Stankovic për shkak të një dëmtimit të lehtë, ndërkohë që në lojë pritet të jetë portieri Julio Cesar.

Derbi i gjen të dyja skuadrat në një formë të mirë, Milani pas 3 fitoreve radhazi ndërsa Interi pas 5 fitoreve radhazi, 3 prej të cilave të arritura në transfertë. Milan-Inter luhet të dielën në orën 20:45.

Top Channel