Dëbora dhe ngricat mbërthejnë vendin

06/01/2012 00:00

Dëbora dhe ngricat kanë mbërthyer vendin. Aktualisht, sipas Emergjencave Civile, vetëm Qafa e Llogarasë është e pakalueshme për mjetet, ndërsa në akset e tjera kombëtare në jug dhe veri qarkullimi bëhet vetëm me zinxhirë.

Kështu, në qarkun e Korcës komunat Dardhë, Vithkuq e Voskopojë janë izoluar nga reshjet e shumta të dëborës, ndërsa me vështirësi qarkullimi i mjeteve vijon në Qafë Thanë, Qafë Plloçë, Qafën e Qarit dhe në aksin Korcë-Kapshticë.

Dëbora ka krijuar vështirësi edhe në Dibër, Tropojë dhe Kukës, ku disa komuna të thella janë izoluar, ndërsa rrugët që i lidhin ato janë të bllokuara.

Ndërkohë, Tirana, Durrësi, Elbasani, Vlora, Fieri dhe Saranda janë përfshirë nga reshje të dendura shiu. Ne portin e Vlorës po ashtu ka pasur probleme me nisjen e trageteve drejt Italisë.

Më herët gjatë ditës, koha e keqe që ka përfshirë vendin u bë shkaktare e një aksidenti rrugor me pasojë vdekjen e një shtetasi, si dhe krijoi pështjellim në portin e Durrësit.

Ndërsa në orët e mbrëmjes në qarkun e Korçës situate klimaterike është rënduar edhe më tej. Nga reshjet e dëborës situata ishte më e rënduar vëçanërisht në zonën e Dardhës. Rrugët e kësaj zone u bllokuan nga dëbora ndërsa prej disa orësh zona e Dardhës ka mbetur pa energji elektrike.
 

Top Channel