Borxhi i jashtëm bruto i Shqipërisë, ku përfshihen borxhet e qeverisë dhe ato të kompanive private, arritën në 4.16 miliardë euro në shtator të vitit 2011, duke u rritur me 11 për qind në krahasim me fundin e vitit 2010.
Lajmi bëhet i ditur nga raporti statistikor i Bankës së Shqipërisë për muajin tetor dhe i raportuar në faqet e së përditshmes “Shqip”. Shkaqet kryesore të rritjes së borxhit bruto të jashtëm të vendit lidhen me rritjen e huamarrjes së qeverisë me 128 milionë dhe rritjes së huamarrjes së bankave private në vend në 121 milionë euro.
Borxhet e qeverisë përbëjnë gati 50 për qind të të gjithë borxhit të jashtëm bruto të vendit dhe pritet të rriten më tej gjatë këtij viti, për shkak të kontratave të huamarrjes që qeveria sakaq i ka nënshkruar me kredidhënësit e huaj.
Borxhi i jashtëm i qeverisë ishte 1.32 miliardë euro në fund të vitit 2008, por u rrit ndjeshëm në dy vitet në vijim kryesisht për shkak të kredive të marra për rrugën Durrës–Kukës.
I gjithë borxhi i jashtëm i qeverisë është klasifikuar si borxh afatgjatë, ndërkohë që bankat duket se parapëlqejnë më shumë borxhet afatshkurtra, të cilat i tërheqin në tregun ndërkombëtar të parasë me interes të ulët për të kredituar qeverinë, bizneset dhe familjet shqiptare me interesa më të larta.
Bankat patën tërhequr deri në 710 milionë euro kredi afatshkurta në vitin 2008, por e reduktuan ekspozimin gjatë viteve të krizës.
Top Channel