F1, Hamilton: Makina e re duket mirë

05/01/2012 20:15

Lewis Hamilton ka parë nga afër makinën e re Mclaren të cilën do e pilotojë në sezonin e ri të Formulës 1. Piloti britanik shpreson se makina MP4/27 do ta lejojë atë të luftojë për titullin kampion bote.

Gjithsesi, Hamilton thekson se favorit për titujt për pilotë dhe konstruktorë është sërish Red Bull.

“Sigurisht që Red Bull është favorit dhe do mbetet i tillë derisa të jemi të aftë të tregojmë të kundërtën, por me ato që pashë mund të them se makina jonë e re është shumë më e mirë se ajo e sezonit të kaluar”, u shpreh Hamilton për ‘La Gazzetta dello Sport’.

Dëshira e britanikut është që ta fillojë sa më mirë sezonin e ri: “Gjatë dimrit gjithmonë ëndërroj që të nis sezonin me një makinë të shpejtë që në fillim. Kjo gjë nuk ka ndodhur në dy kampionatet e fundit. Nëse fillojmë fort do të qëndrojmë në krye të klasifikimit më thjeshtë.”

“Do doja që në vitin 2012 të luftoja për titullin me shokun tim të ekipit, Jenson Button”, theksoi kampioni i botës në vitin 2008.

Top Channel