Kamëz, ekzekutim me armë në një lokal

31/12/2011 09:35

Një i ri u vra mbrëmjen e së premtes, rreth orës 23, në një lokal nate në zonën e Kamzës. Viktima është shtetasi Armando Frroku, i cili u qëllua me armë zjarri.

Vrasja dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti të castit mes disa të rinjsh. Forcat e policisë së rrethit të Tiranës shkuan menjëherë në vendngjarje, ku arrestuan shtetasin Kujtim Prenga.

Bëhet e ditur se Prenga është punonjës i policisë ushtarake. Policia njofton gjithashtu se vrasja është kryer me armë të tipit pistoletë.

Vrasja në fjalë ndodhi rreth dy orë më vonë pas asaj të regjistruar në Elbasan, e cila tronditi qytetin.

40-vjeçari Ilir Rexhepi u qëllua me pistoletë teksa ishte duke hipur në automjetin e tij, i parkuar anës rrugës, në qendër të qytetit, pranë lagjes “Vullnetari”.

Ende nuk janë identifikuar personat që qëlluan mbi viktimën, por deri më tani është bërë i mundur shoqërimi i 15 personave në komisariatin e policisë.

Dyshohet se autorët e ekzekutimit e kishin ndjekur viktimën dhe pasi Rexhepi doli nga një lokal, një breshëri plumbash u derdh në drejtim te tij.

Autorët u larguan me një mjet në drejtim të paditur dhe se policia është vënë në kërkim të tyre. Ndonëse 40-vjeçari u transportua urgjentisht për në spitalin Kirurgjik të Elbasanit, pas ndërhyrjes ai gjeti vdekjen.

Top Channel