SHBA-A.Saudite, “supermarrëveshje” armatimesh

29/12/2011 18:50

Shtetet e Bashkuara të Amerikës konfirmuan një marrëveshje 30 miliardë dollarëshe për shitjen e avionëve luftarakë në Arabinë Saudite.

Si pjesë e marrëveshjes, amerikanët do të pajisin aleatin e tyre të ngushtë në Lindjen e Mesme me avionët e rinj luftarak “Boeing F-15”, në të njëjtën kohë që do të dërgojnë në eksportuesin më të madh në botë të naftës edhe 70 avionë të rinj të një versioni të ngjashëm.

Këto eksporte janë pjesë e një marrëveshje me vlerë 60 miliardë dollarë, e miratuar në fund të 2010-s nga Kongresi dhe përbëjnë bazën e një projekti më të gjerë riaarmatimi nga Arabia Saudite.

Eksporti i këtyre armatimeve vjen në një moment veçanërisht delikat në marrëdhëniet midis SHBA-së dhe superfuqisë tjetër rajonale, Iranit.

Ditën e mërkurë, Uashingtoni reagoi ashpër pas një deklarate të mëparshme të Iranit, që kërcënonte me mbylljen e një ngushtice kyçe në rrugëkalimin e naftës në perëndim, nëse do të vendosesshin masa të mëtejshme shtrënguese ndaj vendit.

Një zëdhënës i ushtrisë nënkuptoi se amerikanët janë të gatshëm të hyjnë në luftë ndaj Iranit, nëse diçka e tillë do të ndodhë. “Nuk do të tolerojmë asnjë lloj pengese në ngushticën e Hormuzit”, theksoi zëdhënësi.

Në një komunikatë të Uashingtonit, shitja e armëve në Arabinë Saudite argumentohej si “e domosdoshme për të përmirësuar qëndrueshmërinë në rajon”. Në dokumentin zyrtar qartësohej se “Arabia Saudite është një alet kyç i Shteteve të Bashkuara”.

Top Channel